Bota Frikë për ndonjë “kalë Troje”, FBI kalon në vetting ushtarët e Gardës...

Frikë për ndonjë “kalë Troje”, FBI kalon në vetting ushtarët e Gardës Kombëtare

FBI ka kaluar në vetting ushtarët e Gardës Kombëtare të vendosur në Uashington për të siguruar mbarëvajtjen e ceremonisë së inaugurimit të Joe Biden, nga frika e një sulmi nga brenda radhëve.

Procesi u konfirmua nga Sekretari për Ushtrinë, Ryan Mccarthy, në një intervistë për “Associated Press”. “Jemi duke e vijuar këtë proces, duke verifikuar për herë të dytë e të tretë të gjithë personelin e caktuar për këtë operacion”, tha McCarthy.

AP raportoi se ushtarët janë marrë në pyetje nga FBI që prej mbërritjes në kryeqytetin amerikan më shumë se një javë më parë. McCarthy tha se deri tani nuk është diktuar asnjë element i rrezikshëm.

Procesi i verifikimit të 25 mijë trupave të pranishme në Uashington pritet të ketë përfunduar brenda së mërkurës, kur Biden do të bëjë betimin për të nisur mandatin e tij si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.