Kuriozitete Fshati pranë Dubait që u braktis prej xhindeve

Fshati pranë Dubait që u braktis prej xhindeve

Rrokaqiejt e mrekullueshëm futuristikë, hotelet ultra luksoze dhe qendrat gjigante tregtare janë ato me të cilat shumica e njerëzve i lidhin Emiratet e Bashkuara Arabe. Por një fotografe ka treguar se si vendi plot shkëlqim i Lindjes së Mesme gjithashtu ka një anë më pak magjepsëse, më misterioze. Jade Brimfield, nga Mbretëria e Bashkuar, kapi imazhe të frikshme dhe pamjet e dronit të tij, të një qyteti fantazmë afër Al Madam, i cili ndodhet 37 milje nga Dubai. Rëra e shkretëtirës po gëlltit ngadalë ndërtesat e saj.

Ky vendbanim bosh përbëhet nga një grusht shtëpish si dhe një xhami që mbikëqyr tërë fshatin. Por këto ndërtesa tani po shkatërrohen gradualisht nën diellin që të pjek, me grumbuj rëre që mbushin dhomat.

“Ndihesha aq e qetë, sepse kishim gjithë qytetin për vete. Por, ndërsa dielli perëndoi dhe era u përhap, fillova të ndjehesha pak e mërzitur. Fotografia ime e preferuar është autoportreti në hijet midis shkretëtirës. Më pëlqeu vërtet të përqafoja modën arabe dhe ta përzieja atë me peizazhet e mahnitshme”, shprehet fotografja Brimfield.

Nuk dihet saktësisht pse u braktis ky fshat i vogël, një pjesë e të cilit u ndërtua në fund të viteve ’80. Legjenda lokale tregon për një krijesë të mbinatyrshme, si punë Xhindi, që nisi të shfaqej mbi këtë fshat, duke i larguar banorët. Sidoqoftë, teoria tjetër është se gërryerja e rërës së shkretëtirës e bëri atë një mjedis të pabanueshëm.

Ndoshta edhe për shkak të legjendave popullore, sot fshati po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar me fotografë dhe yje të Instagramit, të cilët pas një udhëtimi të shkurtër nga Dubai, synojnë të “kapin” ndonjë shpirt të lig aty.