Aktualitet Fshehu pasurinë, ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Fshehu pasurinë, ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e procesit të vetingut, shkarkon nga detyra prokuroren Donika Prela, ish-drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda. Prela u përball me Apelin për shkak se Komisioneri Publik kundërshtoi vendimin e KPK për konfirmimin e saj në detyrë.

Ajo u ndëshkua me largim nga sistemi i drejtësisë për shkak të problemeve të vërejtura në pasuritë e saj. KPA vlerësoi të drejta pretendimet e Komisionerit Publik, sipas të cilit Prela nuk justifikonte në burime të ligjshme disa nga pasuritë e saj.

Ndër të tjera, problematike u vlerësua blerja e një apartamenti në Tiranë, ndërsa bashkëshorti i prokurores kishte shmangur taksat teksa paguhej me dy bordero në një kompani. Po ashtu, prokurorja nuk kishte deklaruar dy transaksione me 25 mijë euro dhe 1,7 milionë lekë nga bashkëshorti i saj.

Në nisje të procesit, Prela kërkoi përjashtimin e dy prej gjyqtareve të trupës, duke pretenduar konflikt interesi. Kërkesa e saj u refuzua, ndërkohë që nga Komisioneri Publik u konsiderua si përpjekje për të zvarritur procesin.

KPA më herët riçeli hetimin gjyqësor të Prelës, për të marrë në shqyrtim më shumë se 300 shkresa të paraqitura si prova prej saj. Por as këto akte nuk kanë bindur KPA për justifikimin e pasurive të Prelës në burime të ligjshme.