Aktualitet Fshihej në Shqipëri, arrestohet amerikano-kanadezja

Fshihej në Shqipëri, arrestohet amerikano-kanadezja

Nuk janë të pakta rastet kur shtetasit e huaj strehohen në Shqipëri për t’iu shmangur drejtësisë në vendet ku janë rezident. Një prej këtyre rasteve është dhe ai i shtetases amerikano-kanadeze, Lyda Harris, e cila i fshihej drejtësisë amerikane në Shqipëri.

Ajo është lokalizuar në vendin tonë, nga zyra qendrore kombëtare Interpol Tirana në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Shërbimin Diplomatik të Sigurisë pranë ambasadës amerikane në Shqipëri. Arrestimi i saj është bërë nisur nga kërkesa e ardhur nga ana e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, për arrestimin e përkohshëm të saj, me qëllim ekstradimin nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Harris ishte shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane, pasi Gjykata e Distriktit Jugor të Kalifornisë ka lëshuar urdhër-arrestin ndërkombëtar më datë 28 Korrik 2021, për kryerjen e veprës penale “Komplot për kryerjen ose pjesëmarrjen në një organizatë përmes aktivitetit shantazhues”, parashikuar nga Kodi Penal i SHBA-së.

Ekstradimi i Harris sipas policisë shqiptare mbështetet në traktatin dypalësh të ekstradimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për lokalizimin e saj ka ndihmuar dhe njësia speciale policore “Joint Shield”.