Ekonomi Fshirja e borxheve, biznesi-qeverisë: Po përfitojnë të parregulltit

Fshirja e borxheve, biznesi-qeverisë: Po përfitojnë të parregulltit

Edhe pse biznesi është përfituesi kryesor nga falja e borxheve, një nga grupimet kryesore të sipërmarrjes në vend, Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehu publikisht rezerva për draftin e miratuar në qeveri.

“Është një projektligj që i shqetëson anëtarët e ‘AmCham’ dhe mendoj se ka një problematikë. Përsëritja e amnistive fiskale mendoj se favorizon vetëm tatimpaguesit që nuk i paguajnë detyrimet e tyre, aq më tepër kur ligji për amnistinë fiskale shprehet se do të përfitojnë nga kjo amnisti vetëm ata tatimpagues që heqin dorë nga procedurat gjyqësore në proces”, tha Alketa Uruçi.

Por drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero tha se ligji fal borxhet, të cilat datojnë prej vitesh dhe janë të pamundura për t’u mbledhur.

“Mendoj që ky është një nga ligjet jo të amnistisë, por ligj i fshirjes së detyrimeve më të mirat që qeveria shqiptare ka prezantuar në vite dhe patjetër do të japë një frymëmarrje jo vetëm administratës tatimore, e cila bart në vetvete të dhëna që nga viti ’94 të tatimpaguesve, të cilët sot edhe nuk ekzistojnë, por njëkohësisht do t’i japë mundësi të gjithë tatimpaguesve që kanë detyrime të papaguara të mund të rregullojnë situatën e tyre tatimore”, tha Vasiliko Vjero.

Drafti i fshirjes së borxheve, nëse do të shfrytëzohet plotësisht nga sipërmarrja, mund të falë deri në 660 milionë euro detyrime që biznesi dhe individët kanë në shtet.