Ekonomi Fuqia e kotecit!

Fuqia e kotecit!

Në stallat e një ferme pulash, në periferitë e Colchester, në Anglinë juglindore, mijëra zogj rrinë ulur mbi grumbujt e jashtëqitjes së tyre. Objektet nuk pastrohen derisa zogjtë të theren, dmth ata vuajnë nga djegiet e amoniakut teksa luftojnë për të rritur pendët. Milingonat e krimbat zvarriten mbi trupat e tyre gjatë gjithë kohës derisa ata të shkojnë therje. Industria e pulave është një nga bizneset e ndotura, por është gjithashtu edhe shumë fitimprurëse.

Në OECD, grupimi i vendeve më të pasura, konsumi i derrit dhe i mishit të gjedhit ka mbetur i pandryshuar që nga viti 1990. Konsumi i mishit të pulave është rritur me 70%. Njerëzit “gllabërojnë” kaq shumë pula, saqë llogaritet se 23 miliardë nga 30 miliard kafshët që jetojnë në ferma janë pula. Sipas një letre të kohëve të fundit të Carys Bennett nga Universiteti i Leicester, masa e përgjithshme e pulave që rriten në stalla e tejkalon atë të të gjitha llojeve shpendëve të tjerë të planetit të marrë së bashku.

Në Londër, rreth 50 kilometra në perëndim të Colchester, dyqanet që skuqin pula janë kudo të pranishme. Shumë prej tyre mbajnë emra sipas shteteve amerikane (duke përfshirë Kansasin dhe Montanën, për të mos përmendur Kentakin).

Por, fëmijët e shkollave dhe konsumatorët e tjerë nuk preken nga emrat e çuditshëm. As nuk shqetësohen shumë për atë që konsumojnë në vaktet e tyre. Dhe pse duhet? Pula është e lirë dhe e shijshme. Një kilogram mish pule në Amerikë tani kushton 1.92 dollarë, nga 1.71 dollarë që ishte në 1960 (pas përshtatjes për inflacionin). Ndërkohë çmimi i mishit të gjedhit ka ndryshuar nga 1.17 dollarë nga 5,80 dollarë aktualisht.

Fansat e pulave të lira kanë kë të falënderojnë. Në vitet 1940 Amerika filloi një fushatë për fermerët të njohur si “Chicken of Tomorrow”(Pulat e së Nesërmes). Qëllimi, siç përshkruhet nga një gazetë të asaj kohe, ishte që të prodhoheshin “zogj të mëdhenj për të gjithë familjen – një pulë me mish të mbushur, me pak kocka të mbuluara brenda shtresës së mishit, me lëng të shijshëm e mbi të gjitha që të kushtonin sa më pak të ishte e mundur”. Rezultati ishte diçka pranë pulave të linjave moderne të stallave të sotme. Që atëherë, pulat kanë vijuar vetëm të rriten.

Një studim i Martin Zuidhof nga Universiteti i Albertas dhe kolegëve të tij e dokumentuan këtë ndryshim duke krahasuar pula që u rritën në kushtet e viteve 1957, 1978 dhe 2005. Autorët zbuluan se në 56 ditë të rritjes tre zogjtë arritën përkatësisht pesha mesatare prej 0.9 kg, 1.8 kg dhe 4.2 kg. Ndërkohë rritja e një pule të madhe ka rezultuar shumë më efikase se sa rritja e dy të voglave, pasi sot fermerit i duhet vetëm 1.3 kg grurë për të prodhuar 1 kg mish pule, nga 2.5 kg grurë që duhej në vitin 1985.

Përdorimi intensiv i antibiotikëve ka bërë që fermerët të mos kenë më nevojë që të kalojnë shumë kohë duke u shqetësuar për mirërritjen e tyre. Para Luftës së Dytë Botërore, shumica e shpendëve  rriteshin në ferma të vogla. Fermerët mbanin pula për vezë dhe shisnin mishin e tyre kur ata vjetëroheshin dhe nuk bënin më vezë.

Por profilaktikët u kanë mundësuar gjithashtu fermerëve ti mbajnë pulat edhe në kushte aq të pista saqë as mund të mendoheshin më parë. Zogjtë mbahen në stalla me popullata shumë të dendura, nuk kanë mundësi të lëvizin shumë, dhe kështu kërkojnë më pak për të ngrënë. Fermerët gjithashtu kanë përfituar nga reputacioni për mishin e shëndetshëm të pulave.

Në vitet 1980 mjekët shqetësoheshin se duke ngrënë shumë mish viçi dhe mish derri, njerëzit po merrnin shumë yndyra, të cilat mendohej të rrisnin rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Kjo frikë që atëherë është zhdukur, por prova të reja sugjerojnë se mishi i kuq mund të rrisë shanset për kancerin e zorrës së trashë. Në të kundërt, imazhi i pulave si një mish i shëndetshëm vijon të mbetet i padëmtuar.

Kofshët e pulave

Nuk janë vetëm konsumatorët perëndimorë të cilët gjithnjë e më shumë preferojnë mishin e pulës. Të ardhurat në rritje kanë bërë që kërkesa për mish të rritet me shpejtësi edhe në vendet e varfëra. Si rezultat, pulat tani janë mishi i tregtuar më gjerësisht në botë. Në terma ekonomike ata janë, e kundërta e makinave.

Ato prodhohen si të tëra. Por vlera e tyre maksimalizohet kur ndahen në pjesë. Në një kohë që perëndimorët preferojnë mishin e bardhë; në Azi dhe Afrikë preferohet më shumë mishi i errët, që përfshin kryesisht kofshët e pulës.

Këto preferenca reflektohen edhe në çmimet lokale: në Amerikë gjokset e pulës janë 88% më të shtrenjta se kofshët; në Indonezi ata janë 12% më lirë. Dallimet në çmimin e kofshëve të pulës janë edhe më të forta. Mendimi për të ngrënë kofshat, mund të shkaktojë neveri tek shumë perëndimorë, ndonëse ata nuk mungojnë në receta të ndryshme. Kurse Kina aktualisht importon 300,000 ton çdo vit.

Fakti që disa vende janë specializuar në lloje të ndryshme të prodhimit gjithashtu ka rritur tregtinë. Amerika dhe Brazili, dy eksportuesit më të mëdhenj të pulave në botë, kanë edhe një bujqësi që siguron sasi të mëdha ushqimi, që përbën koston kryesore në prodhimin e shpendëve. Tailanda dhe Kina, në të kundërt, dominojnë tregun e përpunuar të mishit, që kërkon punë të lirë dhe të kualifikuar. Rusia dhe Ukraina, nga importues neto të pulave, janë bërë eksportues neto, pasi kanë zhvilluar industrinë e grurit.

Prodhuesit që shesin mishin jashtë vendit janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve. Pulat kanë qenë pikë e nxehtë në negociatat tregtare. Kina vendosi tarifa për zogjtë amerikanë në vitin 2010 dhe më pas i ndaloi të gjitha importet në vitin 2015, pak pas shpërthimit të gripit të shpendëve.

Vëzhguesit e industrisë janë pesimistë që ndalimi do të hiqet, duke i tronditur më shumë fermerët amerikanë, të cilët duan të paguhen më shumë për 20 miliard kofshët e pulës që prodhojnë çdo vit, e që aktualisht bëhen ushqim për kafshët.

Njëlloj si Kina edhe Bashkimi Evropian e ndaloi importin e pulave të klorinuara amerikane në vitin 1997, për shkak të shqetësimit se një larje me klor sjell standarde më të ulëta higjienike në ferma. Argumentet mbi pulat e klorinuara gjithashtu u dëshmuan si një pengesë e madhe në negociatat për Partneritetin Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve, një marrëveshje tregtare tashmë e dështuar midis Amerikës dhe BE-së. Britanikët janë të trembur se nëse largohen nga BE-ja, çdo marrëveshje tregtare e nënshkruar me Amerikën do t’u kërkojë atyre të pranojnë importet e këtyre pulave.

Megjithëse bumi i pulave ka shkuar në të mirë të konsumatorëve, mbrojtësit e mirëqenies së kafshëve shqetësohen se masat për të përfituar në çmim nga industria e mishit janë në dëm të zogjve. Vicky Bond nga Humane League, një grup që bën fushata për mbrojtjen e kafshëve, thotë se madhësia e pulave moderne është shkaku i të këqijave. Pulat e rritura në linjat moderne i kanë muskujt e gjoksit aq shumë të mëdha saqë mezi mbahen nga kockat e tyre, duke u shkaktuar ngërç. Në Colchester pula janë aq të paqëndrueshme saqë ngjajnë si zombie. Në të vërtetë, pulat e stallave moderne janë bërë kaq të mëdha saqë muskujt e tyre i pengojnë ata të afrohen pranë njëra-tjetrës.

Pjesërisht për shkak të avokimit nga organizatat bamirëse të kafshëve dhe pjesërisht sepse mishi është bërë kaq i përballueshëm, gjithnjë e më shumë konsumatorë tani janë të gatshëm të paguajnë për mishin e rritur në kushte më të mira. Shitjet e pulave të fushës dhe organike, të cilat, ndryshe nga shumica e atyre që mbahen në linjat moderne, po rriten.

Në Holandë, një protestë e kohëve të fundit kundër plofkipit të madh (që përkthehet si “pulë e shpërthyer”) ishte aq intensive sa që shitësit me pakicë i futën pulat në kotece ku rriteshin më ngadalë. Pjesa e “plofkip” në tregun holandez u ul nga rreth 60% në 2015 në 5% në vitin 2017. Në Britani, shitjet e vezëve të pulave që rriten në fushë i kanë kaluar ato të pulave të linjave moderne.

Shqetësimet për shëndetin e kafshëve kanë bërë gjithashtu që edhe BE të miratojë disa nga ligjet për mirëqenien e kafshëve më të ashpra në botë. Për shembull, rritja e pulave në linjat e ndricuara u ndalua që në vitin 2012. Reformat legjislative kanë qenë më të vështira për t’u kaluar në Amerikë, veçanërisht në nivel federal. Avokatët e mirëqenies së kafshëve ankohen për sistemin e kongresit të vendit, i cili u jep shtysë joproporcionale shteteve rurale.

Megjithatë, një ndryshim i rrallë por i rëndësishëm në nivel shtetëror erdhi në nëntor të vitit të kaluar kur në Kaliforni u votua për të kaluar Propozimin 12, i cili do të ndalojë prodhimin dhe shitjen e mishit të derrit, mishit dhe vezëve të pulave nga kafshë të mbajtura në stalla me ndriçim, duke përafruar ligjet e shtetit me ato në BE. Ndryshimi ndikon tek të gjithë prodhuesit e mishit që duan të shesin në shtetet më të madha të Amerikës, duke u bërë presion që ata të ndryshojnë praktikat e tyre bujqësore.

Kompanitë publike kanë qenë më të përgjegjshme sesa ligjvënësit për problemet e mirëqenies së kafshëve. Aktivistët kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm në vitet e fundit duke i kërcënuar kompanitë me lëshimin e imazheve dhe videove të pahijshme se si prodhohen ushqimet e tyre. Hulumtimet nga Projekti i Filantropisë së Hapur, një grup i cili financon aktivistët për mbrojtjen e kafshëve, zbulon se këto fushata kanë nxitur më shumë se 200 kompani amerikane, duke përfshirë McDonald’s, Burger King dhe Walmart – të ndalojnë blerjen e vezëve nga pulat e rritura në stallat me ndricim që nga viti 2015.

Gjërat po ndryshojnë

Fermerët tashmë janë gjithnjë e më të interesuar që të përmirësojnë jetesën e shpendëve të tyre. Richard Swartzentruber zotëron dy ferma pulash që rriten në fushë në Greenwood, një qytet i vogël në Delaware. Kompania që ai furnizon, Perdue Farms, ia ka ndaluar krejtësisht përdorimin e antibiotikëve.

Zogjtë e pulave të Swartzentruber nëpërmjet shumë dritareve dhe dyerve dalin në fushën e mbuluar me bar, sa herë që e lejon moti. Kjo u mundëson pulave të ulen në pemë dhe të kenë mundësi të fluturojnë. Nëpër fushë ata mund të hipin e zbresin nëpër kutitë prej druri dhe platformat plastike që janë të shpërndara përreth, duke patur kështu mundësi për tu argëtuar. Kjo mënyrë organizimi e ka ndihmuar atë të fitojë një certifikatë cilësie nga Partneriteti Global i Kafshëve, një organizatë bamirësie.

Bruce Stewart-Brown, një shkencëtar i sigurisë ushqimore në Perdue Farms, thotë se kompania e tij do të donte të mbante më shumë pula në këto kushte organike. Por aftësia e tij për të prodhuar më shumë mish organik në fund të fundit kufizohet nga fuqia e tregut, pasi ushqimi i kërkuar ligjërisht për rritjen e pulave është i kushtueshëm.

Ndonëse një numër më i madh njerëzish mund të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë për produktet organike, shumica ende preferojnë atë që është më lirë. Dhe, pavarësisht nga interesimi në rritje për vegjetarianizmin dhe veganizmin, sondazhet tregojnë se vetëm pak njerëz në botën e pasur, po kthehen në konsumatorë të perimeve. Njerëzit mund të pëlqejnë flirtin me dietat me bazë bimore. Por ajo që ata me të vërtetë duan është mishi i pulës.

The Economist/SCAN Magazine