Politika Fuqizimi i faktorit shqiptar në Shkup, Talat Xhaferi: Faleminderit Tiranë!

Fuqizimi i faktorit shqiptar në Shkup, Talat Xhaferi: Faleminderit Tiranë!

Pas rizgjedhjes si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi i ka përcjellë një letër falenderuese homologut të tij në Tiranë, Gramoz Ruçi, ku vlerëson se ka qenë meritë e politikës shqiptare që sot, faktori shqiptar në vendin fqinj është fuqizuar kaq shumë vitet e fundit.

“Përkrahja juaj nuk na ka munguar asnjëherë dhe me ndihmën tuaj, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ngadalë por të sigurt, po bëhen faktorë të rëndësishëm në fuqizimin e shtetit demokratik dhe europianizimin e vendit.

Falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm gjatë mandati të kaluar, arritëm ta fuqizojmë lidhjen Tiranë-Shkup dhe ky bashkëpunim nuk do të mungojë as mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Ju falenderoj për ftesën dhe shpresoj të shihemi së shpejti në Tiranë.”, shkruan në letrën e tij dërguar Gramoz Ruçit.

Kujtojmë se pak vite më parë, kur në pushtet ishte Gruevksi, kryeministri Rama mblodhi në Tiranë të gjithë krerët e politikës shqiptare në Maqedoni, duke iu diktuar një marrëveshje mes tyre, e cila solli shumë pështjellim në politikën e Shkupit.

Pas këtij momenti, pasuan zhvillime siç qe rënia e Gruevskit, e deri te zgjedhja e një shqiptari në krye të Kuvendit, siç qe Talat Xhaferi, gjë për të cilën u derdh dhe gjak (rrahja e Zaevit dhe e Zijadin Selës).

Sot, Kuvendi maqedonas ka dhe një numër rekord deputetësh shqiptarë, si dhe ministrash shqiptarë në qeveri.