Aktualitet Furtunë në Policinë e Shtetit, shkarkohen 20 shefa komisariatesh

Furtunë në Policinë e Shtetit, shkarkohen 20 shefa komisariatesh

Policia e Shtetit po përfshihet në një valë ndryshimesh ditët e fundit.

Mësohet se me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë, Ardi Veliu më shumë se 20 shefa komisariatesh janë shkarkuar në rang vendi.

Po kështu mësohet se  janë bërë edhe emërimet  e reja, por emrat e drejtuesve nuk behën ende të ditur. Ndërkohë edhe disa drejtori kanë pësuar ndryshime.

Pak ditë më parë u shkarkua drejtori i policisë së Shkodrës Vehbi Bushati dhe vendin e tij e zuri Niko Brahimi.

Bushati u largua pas vrasjes së dy vëllezërve Bilali në qytetin e Shkodrës.

Valës së ndryshimeve nuk i kanë shpëtuar dhe disa drejtori të rëndësishme në shkallë vendi si ato të Vlorës, Fierit, Beratit dhe Durrësit.

Në Tiranë, pas komandimit në krye të Policisë të Rebani Jaupit, ndryshime do të këtë edhe në disa komisariate të kryeqytetit, ku drejtuesit e rinj pritet të zyrtarizohen ditën e hënë. Jaupi zuri postin e Kastriot Skënderajt, që drejtonte policinë e Tiranës prej më shumë se një viti.

Sipas policisë, lëvizjet vijnë në funksion të nevojës për të përmbushur sa më mirë prioritetet si dhe për të përmirësuar më tej punën e strukturave vendore të Policisë, në reflektim edhe të arritjeve dhe problematikave të konstatuara gjatë vitit 2018 dhe tremujorit të parë këtij viti.