Bota Fushata elektorale në Kanada, kryeministri Trudeau sulmohet me gurë nga protestuesit

Fushata elektorale në Kanada, kryeministri Trudeau sulmohet me gurë nga protestuesit

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau u sulmua nga protestuesit gjatë fushatës së tij elektorale. Trudeau po kthehej me autobusin e tij të fushatës pasi kishte vizituar një fabrikë birre kur u godit me gurë të vegjël gjatë një ndalese.

Ai nuk pësoi lëndime nga ky incident. Edhe dy persona të tjerë, të cilët ishin pjesë e stafit mediatik, u prekën gjithashtu nga gurët e vegjël, por nuk pësuan lëndime.

Udhëheqësi i Partisë Konservatore në opozitë, Erin O’Toole, e përshkroi incidentin si të neveritshëm.

“Dhuna politike nuk justifikohet kurrë dhe media jonë duhet të jetë e lirë nga kërcënimet dhe dhuna”, tha ai.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka shpallur zgjedhje të parakohshme në muajin gusht dhe synon të fitojë shumicën qeverisëse me partinë e tij Liberale të qendrës së majtë.

Mirëpo fushata elektorale i është dëmtuar për shkak të protestave të qytetarëve që kundërshtojnë vaksinimin e detyrueshëm për disa kategori dhe kufizime të tjera anti-Covid.

Para 1 jave, Trudeau u detyrua që të anulonte një tubim elektoral për shkak të protestave të ngjashme.

Muajin e kaluar, qeveria kanadeze njoftoi se të gjithë nëpunësit civilë duhet të vaksinohen deri në fund të muajit Tetor, ose rrezikojnë që të humbasin vendin e punës.

Aktualisht Kanadaja është një nga vendet me numrin më të madh të personave të vaksinuar.