Një reklamë për të nxitur vaksinimin në Australi ka ngjallur polemika të forta. Qytetarë të shumtë kanë kritikuar ashpër pamjet e rënda të një gruaje që vuan nga Covid-19.
Reklama qeveritare shfaq një paciente të shtruar në spital që lëngon për ajër, teksa është e lidhur më një ventilator. Në përshkrim e videos thuhet: “Covid-19 mund të prekë këdo, prenoto orarin për vaksinim”.
Kritikët thonë se reklama targeton me pa të drejtë të rinjtë, duke marrë në konsideratë që personat nën 40 vjeç do të kenë mundësi ta marrin vaksinën vetëm në fund të vitit.
Zyrtarët e shëndetësisë rekomandojnë që të rinjtë të presin për dozat e Pfizer në vend të AstraZeneca që është aktualisht e disponueshme. Australia po raporton mungesa të shumta të vaksinës Pfizer.
Reklama me pamje të rënda po shfaqet aktualisht vetëm në Sidnei, epiqendër e përhapjes së variantit Delta të Covid-19. Ky qytet gjendet në javën e tretë të izolimit nga vala e re e përhapjes.