Bota Fushata qeveritare kundër puçistëve e lë ushtrinë turke ‘të plagosur’

Fushata qeveritare kundër puçistëve e lë ushtrinë turke ‘të plagosur’

Raundi i fundit i arrestimeve dhe shkarkimeve në Turqi, të cilin qeveria e ka marrë prej një viti tashmë – si zakonisht – përfshiu më shumë ushtarë dhe oficerë.

“Pas gjithë arrestimeve dhe shkarkimeve, ushtria turke është në një krizë serioze sa i përket kapaciteteve njerëzore”, tha për BIRN një profesor në një universitet turk i specializuar për sigurinë dhe politikën e jashtme, duke folur në anonimitet.

Sipas të dhënave të Ministrisë turke të Drejtësisë, 6,976 oficerë të lartë, përfshirë 166 gjeneralë, 40 për qind e të gjithë stafit të përgjithshëm – plus 6,810 kolonelë, janë arrestuar që nga përpjekja e dështuar e grushtit të shtetit më 15 korrik 2016.

Përveç kësaj, më shumë se 20,000 ushtarakë u pezulluan nga shërbimi për lidhje të dyshuara me komplotistët e grushtit të shtetit.

Hakmarrja e qeverisë ishte veçanërisht e rëndë për forcat e armatosura, pasi disa oficerë të lartë mendohej se ishin të përfshirë në grushtin e dështuar.

Megjithatë, meqenëse shumica e procedimeve kundër të dyshuarve për grusht shteti janë shtyrë ose janë ende në zhvillim e sipër, asnjë dëshmi faktike kundër komplotistëve nuk është ofruar për publikun.

Ndërkohë, arrestimet, ndalimet dhe shkarkimet e personelit ushtarak, si dhe vendimet ligjore dhe administrative në lidhje me organizimin e forcave të armatosura – të ndërmarra nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan dhe qeveria e tij – kanë vënë në dyshim pushtetin, rolin dhe efektin e ushtrisë , thanë për BIRN ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Përtej rëndësisë për sigurinë kombëtare, ushtria turke prej vitesh është konsideruar si një pjesë kyçe e strukturës së armatosur të NATO-s dhe garantuesi kryesor i stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe për Ballkanin.

Prandaj, çdo dobësim i kapaciteteve ushtarake turke ka konotacione më të gjera ndërkombëtare.

I njëjti profesor tha se dyshime të paprecedenta varen tani mbi “reputacionin, kapacitetin operacional dhe marrëdhëniet e ushtrisë me aleatët, përfshirë NATO-n dhe SHBA”.

Gjiganti i dobësuar

Sipas raportit më të fundit të Fuqisë së Armatosur Globale të vitit 2016, në aspektin e madhësisë dhe fuqisë, ushtria turke ishte forca e tetë më e madhe në botë, si dhe e dyta më e fuqishme në NATO, pas SHBA-së.

Megjithatë, ekspertët vendas dhe ata ndërkombëtarë paralajmërojnë se fuqia ushtarake e Turqisë tani po venitet pasi forcat e armatosura kanë humbur mijëra njerëz.

Rënia e numrit të zyrtarëve aktivë, pilotëve dhe operatorëve të tankëve shihet veçanërisht si problematike.

“Pas përpjekjes së grushtit të shtetit, një numër i madh pilotësh që drejtonin avionët dhe helikopterët luftarakë u arrestuan ose u pezulluan, bashkë me shumë drejtues tankësh dhe automjetesh të tjera luftarake”, tha profesori.

Ai pranoi se nuk dihet numri i saktë i njerëzve nga këto radhë që janë arrestuar, ndaluar ose larguar nga shërbimi.

Megjithatë, sipas burimeve të tij ushtarake, shumë aeroplanë, helikopterë, tanke dhe mjete të tjera luftarake janë lënë në depo ushtarake sepse nuk ka kush t’i vërë në punë.

Qeveria u përpoq ta rregullojë këtë situatë në gushtin e kaluar kur përdori gjendjen e jashtëzakonshme për të nxjerrë një dekret ku urdhëronte të gjithë pilotët në pension të paraqiten në detyrë.

Që atëherë, qeveria ka shkuar më tej dhe, në një përpjekje për të rivendosur kapacitetin e plotë, ka filluar të ofrojë vende pune për pilotë luftarakë sipas të njëjtit dekret.

Por i njëjti ekspert theksoi se është e vështirë të stërviten pilotë të avionëve dhe helikopterëve. Procesi është i gjatë dhe i kushtueshëm.

Pilotët në pension ose ata komercial mund të mos i përmbushin kërkesat dhe angazhimi i tyre mund të përfaqësojë një rrezik, shtoi ai.

“Në rast lufte, pilotët e F16 të Turqisë, helikopterëve luftarakë nuk mund të fluturojnë me kapacitet të plotë, ndërsa tanket dhe automjetet e tjera luftarake mund të [duhet të qëndrojnë] në kazermat e ushtrisë”, tha ai.

I njëjti ekspert shtoi se Turqia mund të ketë nevojë për disa vjet dhe qindra miliona dollarë për të rivendosur kapacitetin e plotë ushtarak, i cili është ndërtuar gjatë dekadave – dhe që u dëmtua për më pak se një vit.

Kaos në strukturat e komandës dhe stërvitjes

Përveç problemit të numrit të personelitit ushtarak të trajnuar që mungon tashmë nga radhët, ushtria po ballafaqohet me probleme të tjera të shkaktuara nga vendimet e marra gjatë vitit të kaluar.

Kjo kryesisht lidhet me pasojat e dekretit të qeverisë numër 669, të lëshuar më 31 korrik 2016, i cili bëri ndryshime të rëndësishme në strukturën e komandës ushtarake, si dhe në sistemin arsimor dhe të trajnimit të forcave të armatosura.

Pjesa e parë e këtij dekreti vendosi forcat tokësore, ajrore dhe detare nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes, në vend të Kryeministrit, ndërsa Shefi i Shtabit të Përgjithshëm u zhvendos nga zyra e Kryeministrit tek Presidenti.

Ky sistem kompleks komandues mund të shkaktojë probleme për koordinimin ushtarak në terren dhe nuk ka ngjashmëri me strukturat në vendet e tjera moderne, paralajmërojnë ekspertë.

Përveç kësaj, dega më e madhe e ushtrisë, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë dhe Komanda e Rojës Bregdetare u zhvendosën nga komanda e ushtrisë te Ministria e Brendshme.

“Ushtria turke vazhdon të ketë disa operacione ushtarake brenda Turqisë dhe gjithashtu në Siri, dhe duket se numri dhe fushëveprimi i operacioneve mund të rriten në një të ardhme të afërt”, theksoi profesori.

“Megjithatë, komanda e ushtrisë është në kaos pasi kontrolli mbi ushtrinë dhe degët e saj të ndryshme tani ndahet midis disa ministrive dhe presidentit,” shtoi ai.

Si rezultat, “bashkërendimi i ushtrisë në fushatat më të mëdha ushtarake apo në luftë, do të ishte shumë problematik”.

Ai gjithashtu u ankua se qeveria kishte aplikuar modelin e ri të komandës pa ndonjë konsultim me personelin ushtarak ose me ekspertët përkatës.

Nën të njëjtin dekret, qeveria gjithashtu ndryshoi sistemin e arsimit dhe trajnimit njëqind vjeçar për personelin ushtarak.

Ajo i mbylli të gjitha akademitë dhe shkollat ushtarake ekzistuese dhe themeloi Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare. Të gjithë mësimdhënësit e tanishëm dhe personeli nga këto akademi u pushuan nga puna dhe në universitetin e ri u emërua personeli tjetër.

Përveç kësaj, ai transferoi të gjithë studentët e regjistruar në këto akademi në universitetet civile, dhe anuloi postet e tyre të ardhshme në ushtri.

Ish-akademitë ushtarake turke kishin përvojë shekullore, duke u mbështetur edhe nga institucionet më të mira ushtarake në botë.

Prej tyre kanë dalë shumë nga udhëheqësit e Turqisë, përfshirë themeluesin e Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk.

Akademia Ushtarake Turke, Akademia Detare dhe Akademia e Forcave Ajrore [dikur pjesë e Akademisë Ushtarake Turke] u themeluan në vitin 1834, 1773 dhe 1951 respektivisht.

Akademitë ofruan shkollën e mesme, shkollën profesionale dhe diploma bachelor dhe master për studentët e tyre.

Ato gjithashtu ofronin një edukim ushtarak për mijëra studentë të huaj nga vendet aleate, veçanërisht nga Ballkani, Lindja e Mesme dhe Azia Qendrore.

Një ish-profesor në një prej këtyre akademive i tha BIRN se krerët e fundit turq apo osmanë – përfshirë vetë Ataturkun – kishin dalë nga kjo akademi, disa prej të cilave ishin krijuar shekuj më parë gjatë Perandorisë Osmane.

“Është shumë vështirë të kuptohet vendimi për të mbyllur akademitë ushtarake që kanë qindra vjet përvojë në edukimin e oficerëve të ushtrisë,” tha ish-profesori.

“Këto institucione janë një nga institucionet shtetërore më tradicionale. Hapja e një institucioni të ri… nuk mund të zëvendësojë të vjetrit,” tha ai.

Ai shtoi se ky veprim i vetëm e ka privuar Turqinë dhe forcat e saj të armatosura nga njohuri shekullore, si dhe nga disa gjenerata ushtarësh dhe oficerësh të ardhshëm – boshllëqe të cilat do të jetë pothuajse të pamundura të mbushen.

“Për më tepër, zyrtarët dhe studentët e emëruar rishtazi në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes janë duke u zgjedhur në bazë të besnikërisë së tyre ndaj qeverisë, jo me aftësinë e tyre. Qindra vjet traditë po shkatërrohen,” vazhdoi ai.

Trazirat e ushtrisë ndikojnë në marrëdhëniet me Perëndimin:

Si pjesë e spastrimit të të dyshuarve të grushtit të shtetit, shumë oficerë ushtarakë turq që shërbyen jashtë vendit janë shkarkuar gjithashtu. Shumë prej tyre nuk u kthyen në vend, nga frika se mund të arrestoheshin.

Sipas mediave gjermane, të paktën 40 oficerë të lartë ushtarakë turq që shërbenin jashtë vendit, veçanërisht në misionet e NATO-s, kërkuan azil politik në Gjermani.

Një analist i sigurisë, duke folur nën kushte anonimiteti, tha për BIRN se shumica e këtyre njerëzve përfaqësonin elementët më të mirë dhe më të zgjuar në ushtrinë turke. Shumica e tyre kishin shërbyer si oficerë ndërlidhës në NATO dhe në strukturat e tjera ushtarake ndërkombëtare.

Pasi ata u larguan nga ushtria, “Turqia në thelb ka humbur lidhjen me aleatët e saj”, tha eksperti.

Ai shtoi se oficerët e rinj të emëruar si zëvendësime nuk kishin njohuritë, aftësitë, përvojat dhe lidhjet e nevojshme për të zëvendësuar siç duhet ata të vjetrit.

Mendimet e këtij eksperti kanë bërë jehonë në SHBA, te aleati strategjik më i rëndësishëm i Turqisë.

Ish-drejtori i përgjithshëm i CIA-s, James Clapper, tha më 29 korrik 2016, menjëherë pas grushtit të dështuar, se shumica e homologëve të shefave amerikanë në ushtrinë turke, TSK, janë arrestuar ose pezulluar.

“Kemi humbur homologët tanë në TSK. Nuk ka dyshim se kjo do të ndikojë në marrëdhëniet tona dhe e bën më të vështirë vendosjen e marrëdhënieve më të mira midis dy vendeve,”shtoi ai.

Eksperti tha se, sipas burimeve të tij në NATO, shumica e oficerëve të rinj turq kishin ende punë për të krijuar lidhje të mira brenda sistemit të NATO-s.

“Ata u emëruan për shkak të bindjes ndaj qeverisë, jo për shkak të aftësive dhe përvojës së tyre”, shtoi ai.

“Një oficer turk që beson në deklaratat e Erdogan kundër BE-së dhe SHBA-së… nuk mund të krijojë marrëdhënie të mira me vendet aleate,” përfundoi ai.

Ekspertët vendas dhe ata ndërkombëtarë janë dakord se të gjithë këta faktorë do të ndikojnë në pozitën e Turqisë në NATO, si dhe në situatën më të gjerë të sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan.

“Fuqia e dobësuar e Turqisë do të thotë një dobësim i fuqisë së NATO-s”, tha profesori.

“Kjo situatë mund të ketë efekte negative në ekuacionet ushtarake të rajonit dhe në konfliktet ku Turqia ka rol kyç”.