Sport Futbolli mund të ndryshojë përgjithmonë. UEFA kërcënon me përjashtim gjigantët që duan...

Futbolli mund të ndryshojë përgjithmonë. UEFA kërcënon me përjashtim gjigantët që duan Superligën

Një luftë sportive e mirëfilltë po shpërthen në Europë, me kërcënime, sanksione, prishje diplomatike dhe shumë, shumë para.

Projekti i Superligës Europiane që bashkon ekipet më të mira dhe të fuqishme në Europë duket sikur po afron më shpejt sesa duket, më shpejt sesa e imagjinonte edhe iniciatori i saj i hershëm, presidenti i Real Madridit Florentino Perez.

Të mbetura “ngushtë” edhe nga mungesat  e arkëtimit gjatë vitit pandemik, të paktën 11 ekipe historike europiane duket sikur kanë firmosur për një projekt që parashikon një kampionat me 20 ekipe, që mund të ndryshojë përgjithmonë futbollin ashtu siç jemi mësuar ta shohim.

Ekipet në fjalë janë anglezet Manchester United, Liverpool, Arsenal, Tottenham dhe Chelsea, spanjollet Real Madrid, Barcelona dhe Atletico Madrid, si dhe tre italianet më të suksesshme, Juventus, Milan dhe Inter. Ndërkohë, ekipe të tjera si PSG dhe Manchester City duken të pavendosura, kurse Bayern Munich është një kundërshtar i fortë i projektit.

Padyshim një turne i tillë do të arkëtonte një shumë parash të madhe, në nivel botëror, por do të shkatërronte sigurisht kompeticionet e UEFA, e cila ka reaguar sot në mënyrë të fortë ndaj “rebelëve”.

Ekipet që do të marrin pjesë do të largohen nga UEFA, nuk do të marrin pjesë në kampionatet kombëtare dhe mund të ketë penalitete edhe për lojtarët e përfshirë për sa i përket kombëtareve. Ky ishte mesazhi i presidentit të UEFA-s, Ceferin, së bashku me Federatat e kampionateve kryesore.

Një deklaratë e tillë pritet ditët në vijim edhe nga FIFA, e cila nuk është në marrëdhënie të mira me UEFA, por nuk mund të lejojë kurrsesi një turne të tillë.