Sport Futbolli nën pandemi mund të luhet me minuta të shkurtuara

Futbolli nën pandemi mund të luhet me minuta të shkurtuara

Kryetari i Shoqatës Angleze të Futbollistëve Profesionistë, Gordon Taylor, bëri të martën me dije se po shqyrtohet ideja që rikthimi i futbollit të bëhet me një minutazh të shkurtuar të pjesëve.

Futbolli anglez është ndërprerë që prej 13 marsit, si masë parandaluese të përhapjes së Covid-19. Liverpool kryesonte kampionatin me 82 pikë, 25 më shumë se Manchester City e vendit të dytë.

Pas shumë diskutimesh klubet dhe Federata Angleze e Futbollit kërkojnë rifillimin e kampionatit me synimin për ta përmbyllur sa më parë sezonin 2019-2020. Data e propozuar është 8 qershori.

Mirëpo futbollistët mbeten të shqetësuar rreth sigurisë shëndetësore që mund të mos jetë e mjaftueshme.

Taylor ka shprehur hapur këtë shqetësim duke theksuar se më shumë zëvendësime dhe ndeshje në stadiume pa tifozë nuk mjaftojnë, pasi vetë futbollistët janë të frikësuar të luajnë nën pandemi.

Për këtë ai ka thënë që mund të mendohet edhe shkurtimi i kohës së pjesëve, që futbollistët të ekspozohen më pak se 45 minuta për pjesë.

Rreth 200 mijë persona janë infektuar me Covid-19 në Britaninë e Madhe, prej të cilëve mbi 28 mijë kanë vdekur.

Sipas planeve të autoriteteve angleze të futbollit, parashikohet që brenda datës 18 maj klubeve t’u jepet drita jeshile për të rinisur stërvitjen, ndërsa për të siguruar që askush nuk do jetë bartës do të duhen së paku 40 mijë teste të lojtarëve dhe stafeve drejtuese.