Sport Futbollistët, 3 herë më të rrezikuar nga skleroza

Futbollistët, 3 herë më të rrezikuar nga skleroza

Ish-futbollistët janë 3 herë më shumë të rrezikuar nga sëmundjet e trurit sesa popullsia e zakonshme. Ky është përfundimi i një studimi të realizuar në Skoci.

Ky studim, i udhëhequr nga Dr. Willie Stewart i Universitetit të Gllasgout, ka vëzhguar 7676 burra që kanë luajtur futboll profesionist në Skoci nga viti 1900 deri në vitin 1976.

Të dhënat e ish-lojtarëve janë krahasuar me ato të më shumë se 23 000 personave të zakonshëm dhe është parë se ata që kanë luajtur futboll janë 3 herë më të rrezikuar që të preken nga skleroza, Alzajmeri dhe Parkinsoni.

Ish-kapiteni i Anglisë, Alan Shearer, ka pranuar në vitin 2017 se ka frikë nga skleroza pasi në karrierën e tij e ka goditur topin me kokë rreth 100 herë në ditë. Shearer i është nënshtruar analizave për të kuptuar se si goditjet me kokë kanë ndikuar në trurin e tij.

Ndërkohë, Federata Angleze e Futbollit u shpreh kështu në një komunikatë: “Studimi nuk përcakton nëse shkaku i sëmundjeve të trurit është nga goditja e topit me kokë, mënyra e të luajturit, dizajni dhe përbërja e topit në atë kohë apo stili i jetës së futbollistit”.