Sport Futbollisti që turpëroi Interin, ëndrra e nisur në Ballsh 7 vite më...

Futbollisti që turpëroi Interin, ëndrra e nisur në Ballsh 7 vite më parë me 800 euro dhe peripecitë në Qipro

Peter Olayinka. Një futbollist që shtatë vite më parë ishte thjesht askushi dhe që tifozët e Interit, por jo vetëm, do ta fiksojnë mirë!

Sulmuesi nigerian ka shënuar golin për Slavia Praga në barazimin 1-1 në “San Siro”, në ndeshjen e parë të Champions League për këtë sezon.

Peter, siç e thërrisnin në Shqipëri, mbërriti në Ballsh me një rrogë shumë të ulët, thuajse 800 euro në muaj, ndërsa ishte tepër i ri.

Madje, duke qenë nën moshë, Bylis u detyrua që ta huazonte për të mos u gjobitur.

Peter luajti në Qipron Veriore për një sezon. Dy sezone në Ballsh, mes të rinjve dhe ekipit të parë, për t’u kthyer një bomber dhe për të rënë në sy.

Ballshiotët “e peshkuan” në Nigeri, te 36 Lion FC, duke mos paguar asnjë qindarkë, edhe pse ishte minoren!

Arsyeja se pse u huazua 1 vit në Qipron Veriore ishte pikërisht për t’i shpëtuar gjobës.

Skënderbeu do të arrinte t’ia rrëmbente presidentit Kapllanaj për vetëm 30 mijë euro dhe bonuse, ndërsa pas vetëm dy sezonesh në Korçë, ku fitoi edhe titullin kampion dhe realizoi 16 gola në kampionat, do të vinte super shitja te Gent, në Belgjikë, për thuajse 1 mln euro.

Nga aty, disa huazime në Çeki te Dukla Prague dhe në Belgjikë te Zulte Waregen.

Më pas, transferimi përfundimtar për thuajse 3 mln euro te Slavia Praga, aty ku luan prej vitit 2018…

Një ëndërr e nisur në Ballsh me 800 euro në muaj dhe që vazhdon në “San Siro”, Champions League, me gol ndaj Interit!