Aktualitet Gafa e Nishanit/ I jep të njëjtin titull të dekoruarit nga Topi

Gafa e Nishanit/ I jep të njëjtin titull të dekoruarit nga Topi

Shpërndarja e dekoratave dhe medaljeve është një sport i njohur në këto anë. Zakonisht në fund të mandateve, krerët e shtetit e “lëshojnë” pak dorën në gjestet e nderimit dhe falenderimit për personalitete të ndryshme.

GSH.al raporton se një tjetër parodi vjen, këtë rradhë nga Presidenca.

Kreu i shtetit, Bujar Nishani dekoroi me 25 prill ish-lojtarin dhe trajnerin e basketbollit, Nijazi Lleshi.

Deri këtu, gjithçka OK: Njeriu i sportit Nijazi Lleshi, sot i moshuar, dikur ka qenë lojtar dhe trajner i njohur i basketbollit, sidomos për kontributin e tij me klubin e “Partizanit” dhe Kombëtaren.

Ja ç’thuhet në njoftimin e presidencës më 24 prill: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 24/04/2017, nr. dekreti 10154 zotit Nijazi Lleshi Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të dhënë ndër vite për lartësimin dhe rritjen cilësore të sportit të basketbollit, përmes një pune të palodhur dhe arritjes së rezultateve të niveleve të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, duke entuziazmuar sportdashësit shqiptarë”.

Çështja është që të njëjtin titull, Nijazi Lleshit ja dha akorduar edhe ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi në vitin 2012. Ja ç’thuhet në një njoftim të Presidencës më 6 shkurt të atij viti: Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” gjashtë emra të shquar të basketbollit shqiptar ndër vite, Besnik Pëllumbin (pas vdekjes), Bujar Shehun, Vasil Shakën, Viktor Papavangjelin, Nijazi Lleshin dhe Petrit Stefën.

Sot Nijazi Lleshi ka në shtëpi 2 dekorata “Mjeshtër i Madh”, atë me dekret nr. 7260 nga Bamir Topi dhe atë me dekret nr. 10154 nga Bujar Nishani.

Me siguri, kjo ikonë e basketbollit meriton të shpallet më shumë se një herë “Mjeshtër i Madh”.

Por, ai nuk ka nevojë për konfirmim dhe akordimi i të njëjtit titull me përsëritje, tregon seriozitetin e pakët me të cilin shpërndahen titujt e nderit në Shqipëri, shkruan Gsh.