Sport Gary Lineker: Çështja Ronaldo Nuk do të mbarojë mirë, por Sarri tregoi...

Gary Lineker: Çështja Ronaldo Nuk do të mbarojë mirë, por Sarri tregoi se ka b*** të mëdhaja

Juventusi fitoi ndeshjen kundër Milanit, por u desh të vinte Dybala nga stoli, të zinte vendin e Ronaldos në minutën e 55-të, që të prishej ekuilibri rezultativ vetëm çerek orë nga fundi i supersfidës së të dielës. Ky ishte zëvendësimi i dytë brenda një jave i yllit portugez, pas atij në Moskë, kundër Lokomotiv, në Champions. I pari kaloi pa bujë, ndërsa ai i mbrëmshmi ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. “7” bardhezi shkoi direkt në dhomën e zhveshjes, tejet i irrituar. Çështja ekziston, edhe nëse Sarri minimizoi gjithçka në fund të lojës, duke nënvizuar përsëri problemin në gju të portugezit.

Pamjet, sidoqoftë, kanë bërë xhiron e botës. Edhe nga Anglia nuk kanë munguar komentet. Më i rëndësishmi është ai i Gary Lineker, i cili paralajmëron Sarrin për pasojat e pritshme, përmes llogarisë së tij në Twitter. “Sarri e zëvendëson për herë të dytë Ronaldon dhe portugezi kalon pranë tij e shkon direkt në dhomën e zhveshjes. Nuk do të mbarojë mirë, mendoj. Sidoqoftë, mund të them se Sarri u tregua ai tipi me dy b*** të mëdhaja”. Pra, ish-bomeri i shquar identifikon dy pika interesi në këtë çështje: thyerjen e mundshme të raportit me Ronaldon, por edhe guximin e trajnerit.

Guxim që shlyhet, sepse në vend të Cristiano Ronaldos hyri Dybala, i cili më në fund e zgjidhi ndeshjen me golin e tij. Megjithatë, kjo nuk mjafton për ta eklipsuar çështjen e portugezit. Lineker e thotë përsëri fjalën e tij: “Dybala që doli në skenë (zëvendësoi) për Ronaldon shënon golin e vetëm të lojës. Sarri-Ballsy”. Një “kompliment” indirekt, ndër të tjera, për atributet e ish-trajnerit të Chelsea. Shkurt, ai veprim i CR7 nuk përligjet, e gjithë bota e kuptoi se nuk u soll mirë. Por, nga ana tjetër, lartësohet personaliteti i Sarrit, i cili ka marrë përsipër barrën e madhe për ta zëvendësuar pesë herë fituesin e “Topit të Artë” në dy raste radhazi. Dhe, në të dyja rastet, fusha i dha të drejtë.