Sport Gaz Demi: Unë si Berluskoni, Tiranës do ia jap stadiumin pa lek…

Gaz Demi: Unë si Berluskoni, Tiranës do ia jap stadiumin pa lek…

Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi ka dhënë një intervistë për Supersport. Përmes një lidhje direkte, presidenti Demi ka folur për derbin që do të luhet nesër mes Partizanit dhe Tiranës, por edhe për shumë tema të tjera, duke dhënë disa përgjigje shumë interesante.

-Berluskoni qëndroi 31 vite në krye të Milanit. Sa vite do qëndroni ju te Partizani? Ndoshta sa Berluskoni?

-Shpresoj ta arrij.

-Për cilën nga skuadrat e huaja keni simpati?

-Me Juventusin.

-Ju kanë kapur emocionet e derbit?

-Si dukem, i qetë? Derbi i ka të tria rezultatet. Le të fitojë kush të jetë më i miri.

-Si i konsideroni afrimet e merkatos së dimrit te Partizani?

-Janë emra të rëndësishëm dhe lojtarë të mirë, por tani i takon stafit teknik se kur dhe si do t’i përdorë.

-E ka dhënë stafi teknik më të mirën gjatë këtyre viteve në drejtimin tuaj si president?

-Jo akoma. Mediat thonë janë më të mirët, por për mua do të jenë të tillë kur të jem 10 pikë para në vendin e parë.

-Çfarë i mungon Partizanit për të fituar trofe?

-Unë nuk e di se çfarë i mungon. Unë ia plotësoj të gjitha stafit teknik. Skuadra shpresoj të vazhdojë rritjen. Futbolli i tillë është, ka edhe emocione. Unë di se nga ana ime duhet vetëm stadiumi që po e bëjmë.

-Kë lojtar preferoni te Partizani?

-Të gjithë i kam qejf. Më kënaqin kur janë bashkë. Ndeshjet i fiton grupi dhe jo individi.

-Çfarë do ndodhë nëse nuk fiton Partizani titullin?

-Asgjë. Do luajmë në Europë dhe sezonin tjetër do të shkojmë te shtëpia jonë e re, te stadiumi që po ndërtojmë.

-A është Filip Çakulli këshilltari juaj, ashtu si Starova?

-Është mik i imi i vjetër. E kam patriot. Kam dashuri të madhe për Sarandën, sepse qëndrova 6 vjet në atë qytet.

-A do mërzitesh nëse humb Partizani në derbi?

-Jo. Do kem 5 minuta të turbullta dhe më pas do të marr miqtë e mi të pimë ndonjë uiski. Më pas do bëhemi gati për ndeshjen tjetër.

-Si e shihni situatën e tifozëve të Tiranës që kanë bojkotuar ekipin në stadium?

-Unë jam tiranas vetë dhe më vjen keq për tifozët e Tiranës janë në këtë situatë. Ata e dinë vetë situatën e tyre. Por, nëse Tirana do të ketë nevojë për stadiumin tonë në të ardhmen, unë do ta lë ekipin bardheblu të luajë aty edhe me financa zero, pa i marrë lekë.

-A dominon pasioni mbi biznesin në futboll?

-Dominon pasioni. Por, Partizani do të bëhet kompani fitimprurëse.

-Shumë lojtarë kanë pranuar se kanë miqësi me ju, si Sukaj, Mazrekaj, Nexhipi më parë. A është Torasa i preferuari juaj për momentin?

-Kam miqësi me të gjithë lojtarët dhe i quaj ata si vëllezërit e mi të vegjël. Ata më respektojnë mua dhe unë ata. Nuk kam ndonjë të preferuar.

-Keni ndonjë lloj marrëveshje me tifozët për sjelljen e tyre?

-Patjetër që administrata ime ka lidhje dhe unë gjithashtu jam takuar 2-3 herë me tifozët. Nga ana e tifozëve të Partizanit pati marrëdhënie korrekte në ndeshjen kundër Vllaznisë në “Selman Stërmasi”. Ne jemi të kënaqur nga tifozët tanë, sepse kanë pasur përgjithësisht sjellje të mirë.

-Tirana apo Partizani, kush është ekip më i mirë?

-Ekipin e kemi më të mirë.

-Si janë marrëdhëniet tuaja me presidetnt e tjerë të Superligës?

-Kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë.

-Dy vite më parë u përfol për një aleancë mes Partizanit dhe Laçit, ndërsa ditët e fundit është përfolur për aleanca mes skuadrave të tjera të Superligës…

-Kjo Partizanit ishte barsaletë. Ndërsa Tirana fitoi me meritë kundër Kukësit, e pashë ndeshjen. Megjithatë, unë nuk jam ekspert futbolli, por ka organe në FSHF që hetojnë nëse ka apo jo aleanca mes skuadrave.

-Kush fiton në tavëll, ju apo Starova?

-Unë fitoj gjithmonë.

-Cili ka qenë momenti më i bukur që kujtoni gjatë viteve si president i Partizanit?

-Kur m’u dogj shtëpia dhe ditën tjetër Partizani fitoi në Korçë me Skënderbeun. Më pas shkova me familjen në Zanzibar për të pushuar dhe kaluam shumë mirë.

-Po momenti më i keq?

-Kur humba shumë lekë në një biznes timin.

-Skënderbeu apo Kukësi, kush është më i fortë?

-Me çfarë më thonë specialistët, Skënderbeu është skuadra për t’u mundur. Por, ne e kemi treguar veten kundër të dyjave.

-Si del derbi nesër?

-Nuk kam parashikim të saktë, por di se kam bindjen që do të shënojë Ekuban. Shpresoj të shënojë edhe Mazrekaj, nëse e fut Starova (qesh).