Aktualitet Gazetari Artan Hoxha rrëfen kur është vendosur në shënjestër: Bashkëshortja hoqi edhe...

Gazetari Artan Hoxha rrëfen kur është vendosur në shënjestër: Bashkëshortja hoqi edhe prizën e mikrovalës….

Gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha ka rrëfyer se përballë presioneve nuk ndalet. Gjatë një interviste tek “Vila 24’, ai tregoi se kur dikush i bën presion, fillon dhe merret seriozisht me të.

“Presionin nuk e kam qejf. Veproj në të kundërt nëse më bën presion, përqendrohem tek ty. Nëse e lë lumin të rrjedhë, shikoj punën time. Por kur dikush më bën presion, kthehem dhe merrem seriozisht me të. Të thuash që unë kam frikë është budallallëk, vetëm budallai nuk ka frikë.

Problemi është që ti duhet të administrosh frikën, të llogarisësh kur bën diçka, sa mundësi ke ta arrish, të dokumentosh atë që kërkon, sa i aftë je të shkosh të marrësh informacionin dhe të kthehesh. Ne duhet të raportojmë për lajmin, jo të bëhemi vet lajmin”, tha gazetari.

Artan Hoxha tregoi gjatë rrëfimit të se pishmani i vetëm gjatë karrierës së tij janë shqetësimet që u ka sjellë familjarëve pasioni dhe puna e tij.

Ai zbuloi se në një moment kur është vendosur në shënjestër, bashkëshortja e tij, e cila është gazetare, kishte fikur edhe mikrovalën.

Ndërsa zbuloi se ka pasur momente kur e shoqja telefononte edhe policinë kur nuk e dinte se ku ndodhej ai.

“Kur ka një gjë që bëhem pishman herë pas here është pikërisht fakti i shqetësimeve apo problemeve që mund të ketë sjellë pasioni dhe puna ime familjes sime, duke filluar me prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët e mi. Ka pasur situata ku unë e kam parë bashkëshorten time, e cila për fat të mirë është gazetare, ka punuar në media.

Unë e kam fituar këtë lloj imuniteti dhe nuk më bën përshtypje sulmet dhe reagimet, por e kam gjetur njëherë që kishte fikur mikrovalën që të mos kishte lidhje me rrjetin, kishte fikur telefonin, televizorin sepse në atë kohë isha vendosur në shënjestër.

Është nga ato rastet kur politika të sulmon dhe nuk merret me atë që ke thënë ti, por kush e ka thënë. Kanë shkuar në Kadastër, hipotekë për të gjetur çfarë pasurie kam unë, pronat. Unë nuk kisha asgjë, kjo dashje pa dashje më shpëtoi.

I kam vënë disa herë në vështirësi, ka pasur momente kur bashkëshortja ka njoftuar policinë se nuk e dinte ku ndodhesha unë.

Mirëpo më është dashur të takoj njerëz që kanë qenë shumë të kërkuar, pranoja të shkoja, por s’duhet të kapeshin kur unë isha atje. Të mos isha unë njeriu që do bëja të mundur kapjen e tyre, në të kundërt do humbja besimin tek burimet e mia.

Sot ajo që unë quaj me krenari pasuria e madhe është që qindra njerëz më shkruajnë, kërkojnë ndihmë, kërkojnë informacione”– u shpreh Artan Hoxha.