Politika Gazi lotsjellës/ PD padit ministrin Lleshaj

Gazi lotsjellës/ PD padit ministrin Lleshaj

Partia Demokratike ka paditur ministrin e Brendshëm dhe disa punonjës të Policisë së Shtetit për shpërdorim detyre dhe veprime të paligjshme kundër protestuesve.

“Është e provuar se gjatë zhvillimit të protestës Policia e Shtetit, duke shpërdorur detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion qytetarë, të cilët po protestonin paqësisht”, – thuhet në letrën shoqëruese qe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës.

Partia Demokratike i referohet pamjeve filmike, ndërsa vë në dukje se policia nuk e ka respektuar qëllimisht standardin e përdorimit të forcës në mënyrë proporcionale dhe të drejtuar vetëm kundër personave që kryejnë shkelje të ligjit.

“Trajtimi i këtij kallëzimi penal dhe mbi të gjitha hetimi me profesionalizëm i dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit, është një tjetër provë nëse në Shqipëri, organi i prokurorisë është institucion i pavarur dhe i paanshëm, siç përcakton Kushtetuta dhe ligji, apo është zyrtarisht degë e pushtetit kriminal të kësaj Qeverie ilegjitime”, – thuhet në dokumentin shoqërues të kallëzimit penal të Partisë Demokratike.