Sport Gega analizon merkaton dhe kërkon fitoren në ndeshjen e radhës

Gega analizon merkaton dhe kërkon fitoren në ndeshjen e radhës

Trajneri i Partizanit doli në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të sfidës me Kamzën, që do të luhet nesër në orën 14:00. Tekniku i “të kuqve” ka folur jo vetëm për sfidën përballë kamzalinjve, por edhe për ato që i dha merkatoja.

U afruan disa futbollistë, por nuk u gjet një njeri që të çojë topin në rrjetë?

Personalisht nuk jam shprehur ndonjëherë që duam një sulmues., Unë dua një ekip që luan edhe në sulm, edhe në mbrojtje. Për fat të mirë sot jemi në vend të parë dhe ajo pjesë e sulmit, ka bërë detyrën në mënyrën më të mirë. Megjithatë do të isha I kënaqur edhe po të vinte dikush që mund të bënte edhe më mirë. Tani shpresoj se këta që kam do të rriten dhe përmirësohen edhe më shumë.

Aktualisht në organikën e Partizanit ka disa futbollistë që mund të luajnë në sulm…

Asnjëri prej këtyre ndoshta nuk ka formatin e një sulmuesi tipik, por loja në grup ka treguar se këta emra janë pjesa më e shëndoshë e skuadrës tonë. Mala nuk ka qenë kurrë sulmues kryesor, por loja po tregon se ai del shumë herë para portës dhe di të dërgojë topin në rrjetë.

Mesfusha është e mbipopulluar. Sa vështirësi ju krijon kjo në përzgjedhjen e formacionit?

Është një luks dhe komoditet kur ke siguri në fushë, por edhe në stol. Sfida do të jetë mes lojtarëve, të cilët do të rivalizojnë për të marrë sa më shumë minuta. Shpresoj që të kemi marrë njerëzit e duhur, të cilët janë gati të fitojnë vendin në fushë, nëpërmjet punës.

Tirana ka kontaktuar me Mensah, duke kryer një veprim të ndaluar, pasi futbollisti është nën kontratë me Partizanin…

Unë nuk e di se si ka ndodhur, por patjetër që kemi pasur kërkesa dhe joshje nga klubet e tjera. Unë mendoj se Mensah ka qenë pjesë shumë e rëndësishme e ekipit dhe nuk kam kërkuar asnjëherë largimin e tij.

Mendoni se Partizani është favorit kryesor për titullin?

Unë i shoh të gjithë si rivalë kryesorë për titullin dhe duhet të bëjmë më të mirën për t’ia dalë. Ka edhe 17 ndeshje, ndaj duhet të përqendrohemi vetëm te ajo e radhës, që është ndaj Kamzës.

Ndaj Kamzës mungojnë Telushi dhe Hila. Si e shikoni përballjen mes tyre?

Kamza ka bërë ndryshime, por unë mendoj se goditja më e mirë e tyre është Gjoka, një trajner që punon me pasion dhe dëshirë për të bërë mirë. Unë e quaj sfidë dhe çdo ndeshje e shoh si finale. Jemi munduar gjatë javës që të organizohemi në mënyrën më të mirë dhe të mos i lëmë asgjë fatit dhe rastësisë. Na duhet fitorja dhe duhet të marrim 3 pikët.