Sport Gega: Shqiptarët paragjykojnë, shpresoj që Tirana të jetë në elitë

Gega: Shqiptarët paragjykojnë, shpresoj që Tirana të jetë në elitë

Trajneri i Partizanit Skënder Gega doli në konferencë për shtyp përpara ndeshjes shumë të rëndësishme ndaj Skënderbeut ku foli për çdo temë të mundshme në aktualitetin e kuq. Gega foli për disfatën ndaj Luftëtarit, për sfidën e rradhës, për titullin kampion dhe për mungesën e Bruno Telushit.

Është më mirë apo më keq që ndeshja e radhës të luhet kaq shpejt?

Kjo është caktuar, asnjë gjë s’kemi në dorë për ta kthyer. Ekipi është i ngarkuar fizikisht, sepse kemi bërë disa ndeshje rresht. Aq më tepër vijmë nga një rezultat negative i papritur, pak më shumë kohë do ishte më mirë. Duhet ta bëjmë ndeshje.

Çfarë duhet të ndryshojë Partizani nga ndeshja e kaluar?

Kemi bërë një analizë të hollësisht. E rëndësishme është të ndërgjegjësohemi, kemi gabuar në një moment jo të përshtatshëm. Pritshmëri ishte e madhe, ky është futbolli dhe me Skënderbeun do korrigjohemi, nuk do ketë të njëjta gabime.

Si ndiheni kur dëgjoni se përfliten shumë rezultatet e Partizanit, sidomos ndeshja e fundit?

Varet kush i përflet rezultatet tona. Nëse dikush ka argumenta teknike, jam gati të ballafaqohem me çdo njeri. Unë e di sa fort ka luftuar klubi dhe ky grup për të arritur këtu. Unë e njoh veten personalisht. Ne paragjykojmë edhe kampionatet e huaja, jo më Superioren. Ne jemi të ndërgjegjshëm për atë ç’ka bëjmë, respektojmë çdo opinion, por në fund respektojmë veten më shumë se të tjerët. Lojtarët janë profesionistë. Nga java në javë përflitemi se jemi ekip cinik që nuk prodhojmë lojë. Javën tjetër kemi bërë shumë gola, por është faji i mbrojtësve kundërshtarë, këtë radhë është faji i dikujt tjetër. Edhe 8 javë ka, hallet i heqim bashkë, festat do i ndajmë me të tjerët. Ndjeva keqardhje të jashtëzakonshme për këtë humbje. Në të gjitha ligat europiane ka surpriza, për fat të keq na ndodhi ne, do mundohemi ta korrigjojmë. Ky është premtimi jonë karshi tifozëve dhe atyre që kanë mbushur barkun me opinione të ndryshme, sepse nuk duan ta shohin Partizanin atje ku duhet. Nuk më intereson fare.

Mos mendoni se skuadra po kalon një ngërç psikologjik në këto momente?

Humbjet japin efektin e vet. Ne kemi treguar se dimë të reagojmë edhe pas humbjeve. Edhe ndaj Skënderbeut jemi mposhtur dhe kemi ditur të reagojmë duke marrë frenat në dorë dhe të ecim përpara. Ndoshta humbja e fundit erdhi edhe si pasojë e humbjes së Kukësit ndaj Kastriotit, nuk mohohet që rezultatet e rivalit ndikojnë. Ndoshta ndikoi ana emocionale, ndoshta dolëm pak nga detyrat taktike. Në futboll ka të tilla gjëra, psikologjia herë ndikon negativisht, herë pozitivisht.  E rëndësishme është që ne e kemi kuptuar se kemi gabuar, dhe e dimë sa forca kemi për të ecur përpara. Jemi në vend të parë.

Luani përsëri pas Kukësit, a mund të ndikojë sërish rezultati i verilindorëve te Partizani?

Rezultatet janë ato që krijojnë aludime. Dikur kundërshtarët tonë ankoheshin pse Partizani luan përpara sepse ndikon, ose luan mbrapa sepse na studion ne. Unë nuk kam probleme me këto gjëra. Do mundohemi ta korrigjojmë atë që ndodhi. Do mundohemi të kontrollojmë edhe emocionet. Nuk duhet të merremi me kundërshtarët.

Pas humbjes me Luftëtarin morët përgjegjësitë. A ndjeni trysni para ndeshjes me Skënderbeun?

Jam i përgatitur për çdo situatë, kush mund t’i merrte përgjegjësitë përveç meje. Unë marr përgjegjësitë për humbjet, marr përgjegjësitë për gjithçka që ndodh. Nuk ndryshoj, jam i njëjti, që nga dita e parë, deri te e fundit që do jem këtu. Teknikisht do mundohem të korrigjohem. Për pjesën tjetër nuk ndryshoj.

Vetëm 1 fitore në 6 ndeshjet e fundit, a është ky momenti më negativ?

Besoj se i kemi marrë pikët. Duket si minikrizë nga dy humbjet në Kupë. Është një moment jo i mirë. Humbja e Kukësit e vuri grupin në agresivitetin jo të duhur. por duhet të dimë ta kalojmë, e kemi eksperiencën. Duhet të përgjigjemi fort kundër Skënderbeut.

Më mirë të përballesh me Skënderbeun e vendeve të para, apo me ketë që është i plagosur?

Nuk është klasifikimi ai që tregon që je i plagosur apo jo ngjallur. Skënderbeu ka vlerat e veta. E ka potencialin, i ka lojtarët e mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm.

Mos është sfida ndaj Skënderbeut finalja reale?

Javën që kaloi unë thashë që kemi 9 finale. Nuk është finale e madhe me Skënderbeun, janë të gjithë finale. Edhe nëse fitojmë, edhe nëse fitonim ndaj Luftëtarit, sërish mbeten shumë ndeshje, të gjitha finale. Asgjë s’ka mbaruar. Është finale e javës në vazhdim. Është mirë që do luajmë me ekipe të mira. Me Kukësin në Shkodër treguam që dimë ta kontrollojmë veten.

Derbi?

Është një aset i kampionatit shqiptar. Uroj që Tirana të jetë në elitë dhe të ketë gjithmonë derbi. Dinamo nuk ekziston, është për të ardhur keq. Do kisha qejf të ishin ekipe më me kualitet. Uroj të kthehet edhe Lushnja, Elbasani, Vllaznia sa më shpejt. Të rritet numri i klubeve me traditë. Sporti të plotëson jetën.