Sport Gega transmeton qetësi: Derbi nuk vlen më shumë se ndeshjet e tjera

Gega transmeton qetësi: Derbi nuk vlen më shumë se ndeshjet e tjera

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, transmetoi qetësi dhe optimizëm para derbit në konferencën e zakonshme për shtyp. Gega nuk bën llogari, duke mos pranuar të bëjë analiza afatgjata për titullin kampion.

Ku ndryshon një ndeshje derbi nga ndeshjet e tjera? “”Asnjë ndryshim, i njëjti regjim, thjesht punohet në aspekte të ndryshme në varësi të kundërshtarit. Jemi të qetë, nuk kemi probleme fizike dhe e dimë çfarë duhet të bëjmë”.

Derbi, apo titull?Dua ta fitoj derbin, pastaj ka edhe 13 javë, duam edhe kampionatin. Dalim në fushë për fitore, pa bërë plane afatgjata. Historikisht Tirana e Partizani kanë qenë në pozicione të ndryshme, por në fushë kanë qenë ndeshje të mëdha, me shumë ekuilibër”.

Llogaritë për ndeshjen direkte? “Unë nuk para bëj llogari. Duam vetëm të marrim maksimumin në derbi, pastaj ka kohë për të tjerat. Shpresojmë të ruajmë ecurinë e këtij sezoni, rëndësi ka që rezultati final të jetë në favorin tonë, nuk ka rëndësi kush shënon i pari”.

Presioni, mbi Partizanin apo Tiranën? “Historia është histori, nuk është se të ndihmon kur vjen puna te pikët. Kemi kaq kohë që fitojmë derbin, është diçka pozitive, por është e shkuara, nuk ka vlerë për të ardhmen. Presioni është normal, në të dy krahët. Rivalët nuk janë larg, renditja mund të ndryshojë shpejt, për mirë apo për keq, rëndësi ka që të jemi në krye dhe të mos bëjmë gabime”.

Dy ndeshjet e ardhshme pa tifozë… “Më vjen keq, sepse 3-4 persona nuk mund të dëmtojnë punën tonë dhe pjesën më të madhe të tifozerisë, që u soll në mënyrë perfekte. Klubi ka mbajtur qëndrimin e vet, unë dua fair-play dhe miqësi, shpresoj që të mos përsëriten më skena si ato në ndeshjen ndaj Flamurtarit. E duam çdo ndeshje me tifozë dhe stadiumin plot. Në derbi do i kemi tifozët, më pas do të mundohemi të përballojmë ndeshjet pa tifozë”.