Opinione “Gishti” turk në Tiranë dhe vullneti i Ramës për marrëveshjen detare me...

“Gishti” turk në Tiranë dhe vullneti i Ramës për marrëveshjen detare me Greqinë

Nga Nikos Meletis/Liberal.gr

Deklaratat dhe pohimet e admiralit të larguar turk dhe frymëzuesit të “Atdheut Blu”, Cihat Yaycı, se anulimi i marrëveshjes për përcaktimin e zonave detare midis Greqisë dhe Shqipërisë është bërë pas ndërhyrjes së Turqisë, e lë Shqipërinë “në borxh” shpjegimesh ndaj Athinës.

Në një intervistë për Haberturk, Yaycı përshkroi historinë e ndërhyrjes së hapur turke: “Në vitin 2009 u nënshkrua një marrëveshje për ZEE midis Greqisë dhe Shqipërisë për të drejtat edhe të Shqipërisë në ishujt në Adriatik. Greqia përdori kufijtë “anësorë” në avantazhin e saj. Ne dërguam fshehtas raportin tonë Shqipërisë dhe paralajmëruam: “Po ju mashtrojnë”. Me gjithë nënshkrimin e marrëveshjes, Shqipëria kundërshtoi Greqinë, duke thënë: “Nuk është e drejtë që ishujt tanë dhe toka jonë të kenë të njëjtat të drejta”, ndërsa anuloi marrëveshjen duke e apeluar në Gjykatën Kushtetuese. Greqia ka kërkuar vazhdimisht që ishujt të pranohen si zona me juridiksion të barabartë detar si ato kontinentale, por nuk mund të bindte as Shqipërinë, as Italinë. Sidoqoftë, me të njëjtat argumente, ajo po ngre pretendime kundër Turqisë në Egje dhe në Mesdheun Lindor…”

Kjo është hera e parë që një zyrtar turk ka pranuar publikisht se operacioni në Shqipëri i iniciuar nga lideri i atëhershëm i opozitës dhe kryeministri aktual Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese, e cila çoi në anulimin e marrëveshjes të nënshkruar tashmë nga dy ministrat e jashtëm, u bë pas ndërhyrjes dhe udhëzimit turk.

Për më tepër, i gjithë arsyetimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese ndjek argumentimin turk. Dhe qëllimi i Turqisë ishte të shmangte një marrëveshje demarkacioni në të gjithë rajonin bazuar në parimet e Ligjit të Detit, siç është Marrëveshja greko-shqiptare e vitit 2009.

Duke folur dje në Forumin Delphi, Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se çështja e demarkacionit nuk ishte e lehtë, se ishte bërë përparim dhe se Shqipëria kishte vullnetin për të ecur përpara, por nënvizoi se kjo çështje nuk duhet të krijojë shqetësim pasi siç tha, edhe “Italia dhe Greqia, megjithëse anëtare të BE-së, pas kaq shumë vitesh, vetëm tani ishin në gjendje të arrijnë një marrëveshje për ZEE”.

Por z. Rama shmangu dhënien e çdo perspektive të mundshme për rifillimin e bisedimeve për demarkacionin e zonave detare. Ai u kujdes të mënjanonte nga qeveria e tij Ditmir Bushatin, Ministrin e Jashtëm i cili ishte në bisedime me Ministrin e Jashtëm Grek Nikos Kotzias, sipas të cilit ishte bërë përparim i madh.

Sigurisht, asnjëherë nuk u bë e ditur nëse ky “përparim” që ish-ministri i jashtëm i referohet sot, ka të bëjë me bisedimet që ai ka pasur vetëm me z. Bushati apo nëse ka pasur të njëjtin perceptim në zyrën e kryeministrit. Sepse, kishte edhe informacione se z. Bushati ishte larguar me ndërhyrjen e Ankarasë ndaj z. Rama, pikërisht sepse Turqia nuk donte që të vazhdonte Marrëveshja me Greqinë.

Sidoqoftë, edhe tani kur z. Rama deklaron gatishmërinë e tij për të vazhduar bisedimet, është e qartë se është shumë e vështirë të arrihet një marrëveshje. Bisedimet duhet të tejkalojnë problemin e Gjykatës Kushtetuese, e cila jo vetëm që hodhi poshtë marrëveshjen për shkak të mungesës së autorizimit të vlefshëm të negociatorëve që e nënshkruan atë, por vendosi gjithashtu për përmbajtjen e saj (nën drejtimin e raportit të fshehtë të Turqisë) dhe në këtë mënyrë, negociatorëve shqiptarë tani u është dhënë mundësia që t’i referohen vendimit për të zgjeruar pretendimet e tyre kundrejt Athinës.

Dhe, natyrisht, një pengesë shtesë është mos krijimi i një Gjykate Kushtetuese në Shqipëri, e cila tani do të duhet të gjykojë kushtetutshmërinë e çdo marrëveshjeje të re. Dhe mbase nuk është rastësi që shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kundërshtuan marrëveshjen Greko-Shqiptare, janë larguar nga puna me akuza korrupsioni.

Sidoqoftë, dallimet me Shqipërinë nuk janë të mëdha dhe, veçanërisht me përgatitjen që kishte ndodhur gjatë kohës Kotzias-Bushati, “korrigjimet” e marrëveshjes së vitit 2009 të kërkuara nga shqiptarët ishin bërë në thelb.

Dhe pas gjithë kësaj, është detyrim për qeverinë greke që të ftojë menjëherë z. Rama të negociojë në mënyrë që të provojë në tryezë sinqeritetin e synimeve të tij dhe gatishmërinë e tij për të negociuar për interesat e vendit të tij dhe jo për “raportin sekret” të Ankarasë dhe Admiralit të larguar Cihat Yaycı.