Kuriozitete Gjashtë “astronautë” simulojnë “jetën në Mars” në shkretëtirën e Izraelit

Gjashtë “astronautë” simulojnë “jetën në Mars” në shkretëtirën e Izraelit

Kostumet e astronautëve mund t’iu mashtrojnë: këto fotografi nuk janë bërë në Planetin Mars, por në Izrael. Më konkretisht, në shkretëtirën Negev. Duket në të gjitha aspektet si set i një filmi fantastiko-shkencor, por përkundrazi është një nismë shkencore e promovuar nga Forumi Hapësinor Austriak dhe Agjencia Hapësinore e Izraelit me pjesëmarrjen e Agjencisë Europiane të Hapësirës. Objektivi: për të përsëritur, aq sa është e mundur, vështirësitë që mund të sjellë një mision njerëzor në Mars.

Simulimi do të zgjasë tri javë dhe do të marrin pjesë gjashtë “astronautë” nga Austria, Gjermania, Izraeli, Holanda, Portugalia dhe Spanja. Të thirrur për të mbledhur energji falë paneleve diellore dhe të detyruar të ushqehen vetëm siç do të ushqeheshin në orbitë, ata do të duhet të kryejnë një seri eksperimentesh dhe të testojnë pajisjet e gjeneratës së re, duke përfshirë kostumet (me peshë mbi 50 kilogramë) me të cilat ishin pajisur. Për më tepër, gjithmonë për të siguruar besnikërinë maksimale ndaj kushteve hapësinore, komunikimet me qendrën e kontrollit, të vendosura në Austri, do të transmetohen me një vonesë prej rreth 10 minutash.

“Krateri Ramon, në shkretëtirën Negev, paraqet kushte shumë të ngjashme me ato që astronautët do të hasin në Mars, – shpjegoi Gernot Grömer, drejtor administrativ i Forumit Hapësinor Austriak, – ‘nga struktura e tokës në kushtet ekstreme të motit dhe madje llojin e mineraleve të pranishme në tokë”. Nga këtu ka lindur ideja për ta bërë atë vendin e kërkimit. Përveç kësaj, në dritën e karakteristikave të terrenit, do të testohen gjithashtu roverët dhe robotët.