Kryesore Gjashtë të vdekur dhe 67 raste të reja me COVID-19

Gjashtë të vdekur dhe 67 raste të reja me COVID-19

Kjo e shtunë shënoi numrin më të lartë të të vdekurve nga koronavirusi në vendin tonë. 6 pacientë nuk kanë mundur ta fitojnë dot betejën me Covid-19. Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 67 raste të reja me Covid-19.

 “Fatkeqësisht 6 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin Shefqet Ndroqi dhe në spitalin Infektiv: Nuk e kanë fituar dot betejën në spitalin COVID1 një 43 vjeçare dhe një 79 vjeçar nga Tirana dhe një 65 vjeçar nga Kruja, të tre të intubuar prej disa ditësh, me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Nuk kanë mundur të mbijetojnë në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi”, një 62 vjeçar nga Pogradeci me sëmundje bashkëshoqëruese, një 56 vjeçar nga Kukës, dhe një 69 vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera”, deklaroi specialistja e Instituti i Shëndetit Publik, Genta Qirjako.

Aktualisht, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 115 pacientë, 21 janë në terapi intensive dhe 9 pacientë janë të intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 304 testime për të dyshuar të prekur me Covid 19, nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive. 56 raste janë në Tiranë, 8 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Sarandë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 29 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 2637, që nga fillimi i epidemisë.