Kryesore Gjashtë viktima dhe 101 të infektuar me COVID-19

Gjashtë viktima dhe 101 të infektuar me COVID-19

Në 24 orët e fundit në vendin tonë, gjashtë persona kanë humbur jetën nga COVID-19 persona duke e çuar në total numrin e viktimave në 172. Ndërsa sa i takon infektimeve të reja, nga kryerja e 474 testimeve kanë rezultuar pozitivë 101 persona.

“Nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen, mjeku pneumolog 53 vjeçar me origjinë nga Tropoja, banues në Tiranë, si pasojë e insuficencës së rëndë respitarore, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Fatkeqësisht një i ri 28 vjeç nga Shkodra, i shtruar prej disa ditësh në spital, me gjithë përpjekjet e mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë”.

Ka humbur jetën edhe pas përpjekjeve të ekipit mjekësor një 68-vjeçare nga Tirana, një 71-vjeçar nga Kurbini, një 79-vjeçar nga Durrësi, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, dhe një 77-vjeçar nga Shkodra”.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se, situata epidemiologjike në javën që lamë pas rezultoi me rritje të numrit të të prekurve nga Covid-19 dhe me shtrime të reja në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”.

“Java që sapo lamë, paraqiti një shtim me 5.9% të numrit të rasteve pozitive krahasuar me rastet e konfirmuara në javën e 30. Incidenca 7 ditore rezultoi 24.66 raste pozitive për 100 mijë banorë. Incidencën më të lartë e ka qarku i Tiranës, ndjekur nga qarku i Durrësit dhe i Shkodrës”, tha Flutura Beqo.

Në total në të gjithë vendin prej fillimit të epidemisë janë kryer 42 657 testime molekulare dhe serologjike, ndërkohë vijon gjurmimi dhe hetimi epidemiologjik nga strukturat e epidemiologjisë në të gjithë territorin.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 13 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3 031, që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht 2417 raste aktive rezultojnë në të gjithë vendin dhe po ndiqen nga mjekët e familjes.

Në spitalet Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 122 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 14 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve pacientë të intubuar.