Aktualitet Gjashtë viktima dhe 143 raste të reja me Covid-19

Gjashtë viktima dhe 143 raste të reja me Covid-19

Janë 143 raste të reja dhe 6 viktima në 24 orët e fundit në vend nga COVID-19. Kanë humbur jetën një 58-vjeçar nga Tepelena, një 71-vjeçar nga Durrësi dhe 4 qytetarë nga Tirana; një 50-vjeçar, një 54-vjeçare, një 67-vjeçar dhe një 70-vjeçar.

Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha sot se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 650 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ndërsa 143 persona janë konfirmuar pozitivë me Covid19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 45 raste në Tiranë, 31 në Durrës, 17 në Korçë, nga 6 raste në Shkodër, Krujë, Vlorë, nga 4 raste në Elbasan, Lezhë, Lushnje, Tropojë, nga 3 raste në Berat, Gjirokastër, 2 në Kavajë, nga 1 rast në Kukës, Mat, Malësi e Madhe, Prrenjas, Memaliaj, Klos, Gramsh, Shijak.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 51 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3746, që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 119 pacientë të konfirmuar pozitivë, 14 pacientë janë në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet “gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm dhe të jenë rigoroz në zbatimin e protokolleve të sigurisë. Kjo është e vetmja mënyrë që të kufizojmë përhapjen e infeksionit. Sjellja individuale është përcaktuese në këtë betejë me Covid19.

Është shumë e rëndësishme që jo vetëm personat e konfirmuar pozitivë por edhe ata që janë të dyshuar apo janë në që janë në pritje të përgjigjes së testit, duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit”.