Sport Gjashtë yjet që kërkon Ronaldo tek Juventus

Gjashtë yjet që kërkon Ronaldo tek Juventus

Të dielën, Cristiano Ronaldo ishte një njeri jashtëzakonisht i lumtur, pasi fitoi titullin e parë me Juventusin. Dhe, në mes të kësaj lumturie, ai siguroi se do të qëndrojë 1000 për qind në klubin kampion italian. Pra, zhgënjimi i eliminimit që në çerekfinale të Champions-it është arkivuar te bardhezinjtë, që duan të shohin përpara.

E ardhmja parashikon jo pak ndryshime në funksion të përmbushjes së objektivit madhor, të kthyer në fiksim tashmë në Torino, fitimi i Ligës së Kampionëve. Sipas gazetës sportive “Il Corriere dello Sport”, klubi ka filluar tashmë të mendojë për lojtarët që do ta përforconin skuadrën. Bëhet fjalë për një projekt, që ka në bazë CR7, i cili edhe po pyetet për afrimet e mundshme.

Trajneri Allegri ka të siguruar për momentin vetëm uellsianin Aaron Ramsey, ndërkohë që janë zbular emrat e tjerë, që teorikisht janë pjesë e shijeve të yllit portugez. Dy prej tyre kanë luajtur me të te Real Madridi: Raphael Varane dhe Isco. Duket se Cristiano Ronaldo synon të peshkojë tek ekipi i tij i mëparshëm, për ta sulmuar Ligën e Kampionëve me “luftëtarë” të sprovuar në këtë kompeticion, sezonin e ardhshëm, objektiv i pakapshëm në këtë vit. Ja gjashtë emrat, që po monitorohen nga drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”:

Varane

Mbrojtësi qendror francez e njeh mirë portugezin, sepse ka luajtur me të te Real Madridi. Një nga pikat referuese në prapavijën e të bardhëve, ndaj duket se ka një problem në transferimin e tij. Real Madridi e konsideron lojtar të pazëvendësueshëm në “Bernabeu”. Për rrjedhojë, edhe të pashitshëm!

Isco

Ish-bashkëlojtari i Cristiano Ronaldos te Real Madridi. Mesfushori spanjoll kishte gjithmonë një partneritet të mirë në fushë me portugezin te “Los Blancos”.

Manolas

Mbrojtësi grek, siç dihet, luan një rol në qendër të prapavijës te Roma. Ai mbërriti në klubin e kryeqytetit italian më 2014 dhe që atëherë ka qenë i lidhur me shumë skuadra. Greku është në listën e Juventusit që nga vera e kaluar. Ai ka një klauzolë lirimi në kontratë prej 36 milionë eurosh (e vlefshme për Italinë).

Ndombele

Mesfushori i Lyon, 22 vjeç, tashmë ka hyrë në orbitën e ekipeve si Barcelona apo Real Madridi. Didier Descamps nuk e ka marrë ende në kombëtaren franceze, pavarësisht paraqitjeve të mëdha në Champions, sidomos kundër Manchester City, por e ka në plane.

Chiesa

Sulmuesi 21-vjeçar po luan te Fiorentina. Lojtari në fjalë, me një të ardhme të madhe përpara, spikat për shpejtësinë e tij.

Joao Felix

Sulmuesi 19-vjeçar luan për Benfica dhe është thirrur tashmë në ekipin kombëtar portugez.