Aktualitet Gjenden të vdekur dy persona në një apartament, policia: Dyshohet se janë...

Gjenden të vdekur dy persona në një apartament, policia: Dyshohet se janë asfiksuar nga gazi

Mihal Jani, 60 vjeç dhe Anila Llulla, 50 vjeçe u gjetën të vdekur këtë të shtunë në katin e dytë të një pallati në Golem. Ata dyshohet se humbën jetën për shkak të asfiksisë nga gazi. Burime zyrtare të policisë thonë se ngjarja u zbulua në rreth orës 17:45. Shtëpia ishte e 60-vjeçarit Mihal Jani, ndërsa Anila Llulla banonte në Tiranë.

Lidhja mes viktimave mbetet e paqartë. 50-vjeçarja ishte larguar nga shtëpia e saj në Tiranë më datë 25. Djali i saj, i shqetësuar për vendndodhjen e së ëmës, pasditen e së premtes e kishte denoncuar largimin e saj në polici.

Nga ana tjetër, djali i Mihal Janit gjatë ditës së djeshme, por edhe sot, i binte telefonit të të atit, por ai nuk përgjigjej. Në këto kushte ai shkoi gjatë pasdites në shtëpinë e 60-vjeçarit. Por kur nuk mundi ta hapte derën ai kërkoi ndihmën e zjarrfikëses e policisë. Kur këta të fundit u futën në shtëpi i gjetën të pajetë.

Dyshimet se ngjarja ka ndodhur një ditë më parë përforcohen edhe nga dëshmia e fqinjëve, të cilët thanë se kishin ndjerë era gaz.

“Më datë 27.11.2021, rreth orës 17:45, në Golem, në katin e dytë të një pallati, janë gjetur në banesën e shtetasit M.J,  pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi M. J., 60 vjeç banues në Golem  dhe shtetasja A. Ll., 50 vjeçe, banuese në Tiranë. Nga hetimet paraprake dyshohet se kanë humbur jetën një ditë më parë si pasojë e asfiksisë nga gazi. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të ngjarjes”, tha policia në një njoftim paraprak për mediat.