Shëndet Gjendet zgjidhja për të eliminuar kancerin e qafës së mitrës

Gjendet zgjidhja për të eliminuar kancerin e qafës së mitrës

Sipas një hulumtimi të fundit, kanceri i qafës së mitrës mund të eliminohet në shumicën e vendeve të botës, nëpërmjet vaksinës HPV. Miliona raste në mbarë botën mund të parandalohen dhe deri në fund të shekullit 21 dhe kjo sëmundje do të eliminohet.
Vaksina HPV (Human Papilloma Virus – virusi i papilomës njerëzore), vaksinë që parandalon përhapjen e virusit të kancerit ka reduktuar rastet e kancerit të qafës së mitrës, kështu që ka shpresa që sëmundja e cila çdo vit vret rreth 300.000 gra anembanë globit, të zhduket. Kanceri i qafës së mitrës është tumori i vetëm që mund të parandalohet sepse ai shkaktohet pikërisht nga virusi i papilomës. Hulumtuesit shprehen se zgjidhja e vetme dhe e thjeshtë është prodhimi dhe përdorimi i shumtë i vaksinës.
Vitin e kaluar kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë bëri thirrje për përpjekje të koordinuara globale për të eliminuar sëmundjen. Ndërsa hulumtimi i fundit që u botua në revistën mjekësore “Lancet Oncology”, tregon se si kjo gjë mund të arrihet nëse në të gjitha qendrat shëndetësore të botës do të furnizohen me vaksina, kështu që deri në fund të shekullit 21, kanceri i qafës së mitrës do të konsiderohej i eliminuar.
Studimi tregon se vendet e zhvilluara duhet të ndihmonin edhe vendet më pak të zhvilluara për transportimin e vaksinës, pasi ka një kosto e cila nuk mund të përballohet nga të gjitha vendet njësoj.
Profesori Karen Canfell, autori i studimit, tha se ekipi ka vlerësuar se Australia është në rrugën e duhur për të eliminuar kancerin e qafës së mitrës deri në vitin 2035. Gjithashtu, edhe vendet me të ardhura të mëdha, si Anglia, Finlanda, SHBA dhe Kanada, do të ishin në gjendje ta eliminonin sëmundjen në vitin 2055.

“Megjithatë, thelbësore është arritja e eliminimit të kësaj sëmundjeje në të gjitha vendet e botës dhe informimi i grave nëpërmjet fushatave sensibilizuese që duhet të zhvillohen sa më shpejt,” shprehet ajo.
Por, fushatat e vaksinimi nuk janë mirëpritur në të gjithë botën. Ato kanë pasur efekt në Europë, por jo në Japoni ku në të gjitha programet televizive vitin e kaluar u transmetua një anti-reklamë për vaksinën HPV, e cila përpiqej të bindte publikun se vaksina ishte e dëmshme për shëndetin mendor.
“Është një sfidë shumë e madhe për të bindur njerëzit. HPV është një nga vaksinat më të mira që kemi,” shprehet Canfell.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehet se informimi është vetëm hapi i parë për të nisur eliminimin e kancerit të qafës së mitrës. Për vendet që kategorizohen me nivel të mesëm ekonomik si Meksika, Brazili dhe India, do të ketë sfida më të mëdha sepse këto vende ende nuk kanë buxhet për të blerë sasi të mëdha të vaksinës.
“Sfida është edhe më e madhe në vendet më të varfra të botës, të cilat jo vetëm që nuk kanë potencial ekonomik për të blerë vaksinën, por nuk do të munden as të informojnë popullatën. Për disa vende në Afrikën sub-Sahariane, kanceri i qafës së mitrës është shkaku kryesor i vdekjes së shumë grave. Ky është një fakt dramatik për të gjithë shoqërinë,” shton Canfell. /The Guardian/