Kryesore Gjenerali i NATO-s nga Tirana: SHBA nuk kërkon të pushtojë Iranin

Gjenerali i NATO-s nga Tirana: SHBA nuk kërkon të pushtojë Iranin

Gjenerali i NATO-s, Michael D. Barbero deklaroi sot se, Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të ecur përpara.

Duke folur gjatë një mëngjesi pune të organizuar në Tiranë nga një grup deputetësh dhe ish-deputetësh të Kuvendit mbi samitin e NATO-s dhe situatën në Iran e Irak, Gjenerali Barbero tha se, “ngjarjet e Lindjes së Mesme janë të rëndësishme. Një NATO e fortë është e rëndësishme për Shqipërinë dhe për vendet e tjera. Nuk duhet t’u kushtojmë rëndësi mesazheve që dalin në internet, por rëndësi ka politika. Raporti në Samitin e NATO-s është i rëndësishëm. Aleanca vazhdon angazhimet dhe përpjekjet e saj për të luftuar terrorizmin”.

Duke folur më tej për Shqipërinë, Barbero tha se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të ecur përpara. “Jeni duke kaluar një periudhë sfiduese të Reformës në sistemin gjyqësor, por nuk e dyshoj fare se keni të gjitha kapacitet për të ecur përpara”, tha Barbero.

Duke folur për situatën në Lindjen e Mesme, Barbero tha se, “nuk është e vërtetë që SHBA kërkon të pushtojë Iranin. Vrasja e gjeneralit Soleimani ishte një parandalim. Irani ka organizuar disa sulme të sofistikuara, nuk kishte përgjigje nga ne. Kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë. Marrëveshja bërthamore me Iranin nuk ishte e mirë, duhet të negociojmë një tjetër.”

“Javën e kaluar patëm një sulm në ambasadën tonë në Bagdad dhe për këtë arsye presidenti Trump kundërveproi. SHBA ka nevojë që të punojë brenda Irakut. Ka pasur disa shenja për të filluar dialogun”, u shpreh ai.

Gjenerali Michael Barbero, nën komandën e të cilit para disa vitesh në Irak kanë qenë dhe trupat shqiptare tha se vrasja e gjeneralit të Iranit Qasem Soleimani ishte mjaft e rëndësishme.

Madje ai tha se vrasja e tij ishte më e rëndësishme se vrasja e Osama bin Laden, apo udhëheqësit të ISIS në Irak, Abu bakr al-Baghdadi.

“Qasem Soleimani ishte arkitekti i çfarëdolloj paqëndrueshmërie. As Hezbollah nuk do të sulmonte Izraelin nëse ai nuk do të jepte urdhrin. Të gjitha sulmet e dhunshme që vinin nga shiitët ishin të udhëhequr nga Soleimani. 700 ushtarë amerikanë kanë vdekur nga këto armë që janë si rezultat i drejtimit të Qasem Soleimani”, tha Barbero.

“E kaluara e tij e bëri që të përcaktohej si një terrorist. Meqenëse ai ishte një kriminel ndërkombëtar, ai ka shkaktuar vdekjen e shumë personave të pafajshëm në atë rajon në 15 vitet e fundit. Ishte tërësisht e justifikuar dhe ne do t’i përballojmë vetë pasojat. Ai trajnonte të gjithë forcat paraushtarake”, u shpreh Barbero.

Më tej Gjenerali Barbero theksoi se, edhe pse nuk ka një rrezik për konflikt global, NATO do të reagojë ndaj çdo sulmi që mund t’i bëhet ndonjë vendi anëtar.

“Nuk mendoj se ka një konflikt global në horizont. NATO duhet të intensifikojë mbështetjen e operacioneve në Irak. NATO është një aleancë që vazhdon të jetë e rëndësishme dhe vepron në mënyrë të përshtatshme. Mendoj që NATO do të reagojë ndaj çfarëdo lloj sulmi do ti bëhet ndonjë prej shteteve anëtarë të saj”, u shpreh ai.