Opinione Gjergj Kastriot Skënderbeu, heroi ynë kombëtar i keqkuptuar dhe i keqpërdorur

Gjergj Kastriot Skënderbeu, heroi ynë kombëtar i keqkuptuar dhe i keqpërdorur

Nga Miron Çako

U bë shumë ditë që figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit (1405-1468) është keqkuptuar dhe keqpërdorur në portale dhe në media mbi mbulimin apo jo, me qëllim apo pa qëllim të shtatores së tij në sheshin me emrin e tij, për Kurban Bajramin, festën e besimtarëve mysliman.

1- Personalisht dua të besoj se mbulimi i fushëpamjes së shtatores se heroit nuk ishte me qëllim dhe aspak me karakter fetar, por vetëm çështje teknike siç shprehet publikisht dhe përfaqësuesi i KMSH, Myftiu i Tiranës z. Ylli Gurra. Mbas këtij sqarimi zyrtar askush nuk duhet të grindet dhe të hamendësoj për prapaskena të mbulimit të shtatores, ashtu siç ka ndodhur teknikisht dhe me aktivitete të tjera të organizuara në sheshin “Skenderbej”.

Mendoj se kjo është në interes të harmonisë fetare, që është aq e mirë, por njëkohësisht dhe aq e brishtë. Prandaj ne me çdo mënyrë duhet ta ruajmë, ta kurojmë nga çdo virus i huaj, që të mbetet e shëndetshme, si një organ jetik i trupit (kombit).

2- Për ata besimtarë, fetarë myslimanë që e shikojnë shtatoren e Skënderbeut si një idhull dhe që sipas tyre bie ndesh me doktrinën islame të adhurimit e kështu ata nuk duhet të falen para një “idhulli” si Skenderbeu. Mendoj se ky është një problem që duhet ta zgjidhin ata vetë ose KMSH-ja, sepse Skënderbeu ishte aty para se ata të uleshin për t’u falur. Çdo ankim ose mbulim i statujës bie ndesh me karakterin e sheshit si një vend publik në një shtet laik.

3- Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu sipas historianëve të kohës dhe më vonë, ka bërë një luftë çlirimtare në tokën e Arbërit për gati 25 vjet kundër pushtuesve osman.

Lufta e tij së bashku me stëretërit e shqiptarëve të sotëm nuk ka qenë një luftë me karakter të mirëfilltë fetar si një kryqëzat, por një lufte çlirimtare nga ekspansioni i Perandorisë Osmane në Ballkan dhe në Arbëri. Nqs disa fetar, teologë, historianë mysliman të huaj dhe vendas ndihen të atakuar fetarisht nga lufta çlirimtare e Skënderbeut kundër turqve, problemi nuk është i Gjergj Kastriotit dhe i luftës të popullit shqiptar, por i atyre vetë që nuk e ndajnë shtetin nga feja dhe këtu nuk kemi të bëjmë me çështje fetare, por me etnike ose siç quhet sot fenomeni i neootomanizmit (osmanët e rinj).

Ky është një problem serioz që nuk duhet toleruar nga organet shtetërore se mund të bëhet një precedent i rrezikshëm për nxitjen e konflikteve nacionaliste dhe fetare në Ballkan.

4- Ata fetar apo nacionalistë “të krishterë” që e nderojnë figurën e heroit kombëtar duke i dhënë ngjyra fetare si një kundërvënie kundër një feje tjetër, përsëri janë duke e keqkuptuar dhe keqpërdorur atë. Siç e përmendëm më sipër Skënderbeu luftoi kundër Perandorisë Osmane me përzierje popujsh kryesisht nga Azia, që si fe zyrtare kishin islamizmin, por Gjergji nuk ishte një kryqtar dhe ushtria e tij një kryqëzat me emblemë kryqin, por një ushtri e organizuar për çlirimin dhe mbrojtjen e vendit, me emblemë shqiponjën dykrenare, simbol i principatës së Kastriotajve.

Kryqëzatat u krijuan në perëndim me idenë për të çliruar Jerusalemin dhe varrin e Krishtit nga arabët. Ato nisën me bujë, por degjeneruan dhe për ironi kryqëzata e katërt në vitin (1202-1204) pushtoi, plaçkiti deri në sakrilegje kishat dhe pasuritë e të krishterëve orthodhoksë në Kostandinopojë.

Prandaj është gabim që figura e heroit tonë kombëtar të keqpërdoret nga ata që e nderojnë dhe e përçmojnë si një figurë fetare që i kundërvihet me shpatë një feje tjetër. Kjo bie ndesh me doktrinën e krishterë. Krishterimi si besim dhe fe nuk përhapet dhe mbrohet me anë të shpatës, armës ashtu si Krishti i tha Petros i cili kërkonte të përdorte thikën për të mbrojtur jetën e Krishtit “fute shpatën në këllef, unë mund t’i lutem Atit dhe ai të më dërgoj dymbëdhjetë legjione engjëjsh”. Në krishtërim nuk ka dhe nuk mund të këtë luftë të shenjtë sepse Mbretëria e Zotit nuk është në një vend dhe shtet të caktuar, por në zemrat e besimtarëve dhe ajo pritet të bëhet e dukshme ashtu siç është në qiell edhe mbi dhè me ardhjen e dytë të lavdishme të Zotit Krisht. Sa herë që të krishterët e kanë harruar këtë parim të Mbretërisë së Zotit që pritet të vij nga qiejt dhe e kanë ndërtuar atë në tokë me mjetet e gabuara dhe të pamoralshme, kanë gabuar, duke e humbur qytetërimin e tyre.

Gjergj Kastrioti lindi nga një familje e krishterë në 6 maj 1405, u pagëzua që fëmijë i krishterë, u konvertua musliman me imponim në Stamboll kur u mor peng bashkë me tre vëllezërit e tij nga sulltan Murati, u rikthye i krishterë në besën e etërve të tij kur u rebelua nga ushtria e sulltanit. U kthye ne Krujë e çliroi atë, rimori tokat e të atit, principatën e Kastriotëve, bashkoi princat shqiptar ne kuvendin e Lezhës duke hedhur themelin e shtetit Shqiptar. Dhe bashkë me ta me një ushtri modeste çliroi tokat e Arbrit, si një strateg i përkryer me 30 luftra, 29 të fituara edhe vetëm një të humbur me tradhti, mundi dhe shkatërroi mitin e perandorisë së pathyeshme osmane, ndaloi dyndjen barbare të turqve në Europë, mbrojti qytetërimin europian, shkruajti historinë me të lavdishme të popullit shqiptar dhe me të drejtë u lartësua si hero kombëtar dhe figurë frymëzuese për çdo shqiptar, europian dhe për çdo popull që e aspiron lirinë nga pushtuesit sado të fuqishëm që ata mund të jenë.

Mund të themi si një fakt historik, se ishin vetë turqit supersticioz që e mitizuan dhe e kthyen në një idhull fatsjellës shpatën dhe eshtrat e tij, të cilat i morën, shpatën sulltan Mehmeti dhe eshtrat ushtarët i mbanin në trup si hajmali për të marrë fuqi nga fuqia e pamposhtur e atij kur ishte i gjallë.

Së fundi Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk është një mit, nuk është një idhull, nuk është një kryqtar, por një person historik, princi i Epiriotve, mbreti i pashpallur i Arbërve, atleti i Krishtit që do të thotë me moral dhe virtyte të larta të krishtera që përmblidhen; në dashuri për Zotin, për të afërmin, vendin dhe në falje ndaj armikut. Ai ishte një atdhedashës i madh, që bëri detyrën ndaj mëmëdheut në kushte të përcaktuara të historisë, një frymëzim dhe nder për të gjithë ata që janë dhe ndjehen shqiptarë, një hero kombëtar i patjetërsueshëm me përmasa ndërkombëtare.