Bota Gjermani: Protesta kundër ekstremizmit të djathtë

Gjermani: Protesta kundër ekstremizmit të djathtë

Pas sulmit vdekjeprurës me motive raciste në Hanau, mijëra vetë u mblodhën për të demonstruar kundër nxitjes së urrejtjes nga ekstremistët e djathtë dhe denigrimit të të huajve.

Në qendër të qytetit Hanau u mblodhën të shtunën (22.02) në Sheshin e Lirisë mijëra vetë për të protestuar kundër ekstremizmit të djathtë. Shumë prej tyre mbanin pankarta me mbishkrimin “Duhet të vriten njerëz që të ngriheni më këmbë?” apo “Të drejta njeriu jo djathtistë.” Organizatorët e shoqatës “Solidaritet në vend të Ndarjes” bënë fjalë se u mblodhën afër 6.000 vetë.

Në fjalimet e mbajtura u shpreh tronditja për vrasjet me motive raciste të mërkurën në mbrëmje. “Ne nuk duhet të patologjizojmë vrasësit”, tha Patrucija Kovalska nga fushata “Jo me fund” nga Mynihur. Planifikimi dhe vrasja tregojnë një logjikë të mbrapshtë të atentateve terroriste ekstremiste të djathta edhe në vende të tjera. Shkak për këtë është racizmi dhe antisemitizmi.

“Ata ishin të gjithë fëmijë të Hanaut”

Në tubim ishin pjesëmarrës edhe familjarë të viktimave. Vrasjet janë një akt barbar dhe sulm kundër të gjithë shoqërisë, tha një i afërm i një prej viktimave. Shoqëria duhet të qëndrojë e bashkuar. “Plaga nuk ka për t’u shëruar, por solidariteti na ndihmon”, tha një tjetër i afërm. “Ne jemi bërë të gjithë viktima”, tha një pjesëmarrës tjetër. Viktimat ishin të gjithë qytetarë gjermanë me sfond migracioni, por të lindur e rritur në Hanau. “Ata ishin të gjithë fëmijë të Hanaut”, tha një familjar.

Edhe në Köln, Bonn, Düsseldorf, pavarësisht karnavaleve, pati tubime të mijëra njerëzve që donin të jepnin një sinjal kundër ekstremizmit të djathtë e në shenjtë kujtimit të viktimave. Demonstrata të tilla u zhvilluan edhe në Dortmund dhe Bielefeld.