Sport Gjermania largon “peshat e rënda”. Kush do t’i zëvendësojë?

Gjermania largon “peshat e rënda”. Kush do t’i zëvendësojë?

Vendimi i trajnerit të kombëtares gjermane Joakim Low për të mos i dhënë më një shans tre futbollistëve të rëndësishëm si Thomas Muller, Jerome Boateng dhe Mats Hummels, shokoi opinionin sportiv, por në mënyrë surprizë ky vendim është përkrahur masivisht.

Në të gjitha sondazhet e bëra, votat janë në favor të trajnerit si e vetmja mënyrë për të rikuperuar imazhin e katandisur si mos më keq të gjermanëve pas dështimit në Botërorin e kaluar.

Gjermania duhet të shohë të ardhmen dhe kjo duhet të bazohet pa treshen e famshme të Bajernit, pikërisht ajo që i solli dhe suksesin në Botërorin e Brazilit në 2014.

“Jerome Boateng, Mats Hummels dhe Thomas Muller nuk do të jenë më në përfaqësuese. Dua t’i falenderoj për vitet e suksesshme dhe të jashtëzakonshme që ndamë bashkë, por tani duhet të hedhim bazat për të ardhmen. Dua t’i jap ekipit një fytyrë të re dhe ky është hapi i duhur”, tha Low përpara dy ditësh.

Me thuajse 250 ndeshje të 3 së bashku, Hummels, Muller dhe Boateng ishin pjesë e një gjenerate që shkroi historinë te Gjermania, fillimisht me triumfin në Europianin e 21-vjeçarëve e më pas në Brazil. Por, asnjë prej tyre nuk është më i ri, i shpejtë dhe atletik, kualifikimet e prototipit të ri që po imponojnë te Gjermania.

Largimi i tyre lë një boshllëk të pashmangshëm te tifozët dhe në lidershipin e grupit, por koha premton se mund të rikuperohet gjithçka, kur duhen dy vjet nga nisja e Evropianit të futbollit.

Pyetja e vetme ngelet: kush do t’i zëvendësojë këta 3 lojtarë të jashtëzakonshëm?