Bota “Gjermania theu valën e tretë të pandemisë”, deklaron ministri i Shëndetësisë

“Gjermania theu valën e tretë të pandemisë”, deklaron ministri i Shëndetësisë

Vala e tretë e pandemisë duket se është thyer, këto kanë qenë fjalët e ministrit gjerman të Shëndetësisë gjatë së premtes, teksa duket se masat e distancimit social dhe përshpejtimi i fushatës së vaksinimeve ka ndihmuar në uljen e infektimeve.

Deklarata e ministrit Jens Spahn është bërë gjatë një përditësimi të përjavshëm të situatës epidemiologjike në vend.

Kreu i Institutit Robert Koch për sëmundje ngjitëse, Lothar Wieler, tha se incidenca e rasteve të reja me COVID-19 ka qenë në rënie për të gjithë grup moshat, dhe se është shpresëplotë që së shpejti pandemia do të jetë nën kontroll të plotë në Gjermani.

Deri më tani 31.5 për qind e popullsisë kanë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës, konfirmoi ministri Spahn.

Gjermania ka regjistruar mbi 3 milionë raste të konfirmuara me COVID-19 që prej fillimit të pandemisë, ndërsa virusi i ka marrë jetën 84,811 qytetarëve.