Politika Gjiknuri dhe Hajdari thirrje PD për t’u ulur në tryezën e Reformës...

Gjiknuri dhe Hajdari thirrje PD për t’u ulur në tryezën e Reformës Zgjedhore

Damian Gjiknuri, bashkëkryetari për Komisionin e Reformës Zgjedhore, në një deklaratë të shkurtër për mediat i ka bërë thirrje opozitës që të marrë pjesë në tryezë.

Mbledhja e parashikuar për ditën e sotme u anulua për shkak të mungesës së Partisë Demokratike në shenjë proteste pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

Gjiknuri u shpreh se nuk shikon asnjë arsye serioze që dialogu për Reformën Zgjedhore të anulohet dhe se ky proces duhet përmbyllur në kohë.

“Nuk shoh arsye serioze për tu ndaluar mbledhja, i bëj thirrje opozitës që të vijojë mbledhjet dhe shpresoj që ata të rimarrin vendet e tyre për të vazhduar negociata”.

Kësaj thirrje i është bashkuar edhe Rudina Hajdari, e cila ka sjellë në kujtesë atë që e quajti kontratën e bërë me popullin nga kreu i PD Lulzim Basha.

“Nëse Partia Demokratike e ka seriozisht mbështetjen e Aleancës për Teatrin, të vijë në tryezë dhe t’i shkojë deri në fund mbrojtjes, sepse ka bërë një marrëveshje ku thotë që angazhohet seriozisht… ta çojë një premtim të vetëm deri në fund”.

Hajdari para mediave u shpreh se është me rëndësi që të ndryshohet sistemi zgjedhor dhe për këtë opozita duhet të ulet në tryezë dhe t’u japë qytetarëve mundësinë për zgjedhje të lira.

“Ndryshimet vijnë kur je brenda sistemit, nëse del nga sistemi çfarë do të bësh?!”, u shpreh ndër të tjera Hajdari.