Politika “Gjiknuri i çoi një zarf Ramës dhe u rikthye në listë”, Berisha...

“Gjiknuri i çoi një zarf Ramës dhe u rikthye në listë”, Berisha flet për përzgjedhjen e kandidatëve të PS

Mesnatën e sotme mbyllet afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë të partive politike.

Sali Berisha, në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike ku do të votohen listat e kandidatëve për deputet, tregoi sipas tij, prapaskenat për përgatitjen e listave në kampin rival, atë të Partisë Socialiste.

Sipas Berishës, socialistët janë zëvendësuar në lista me personazhe të botës së krimit dhe persona të tjerë pa kontribute politike.

“Ekipi Rama-Lubi Balluku po përcakton kandidaturat tërësisht në bashkëpunim me klanet e krimit në Shqipëri. Janë flakur edhe socialistët e fundit që kishin mbetur në atë parti dhe janë zëvendësuar me eksponentë të botës së krimit apo kushërinj, kushërira, etj, etj. Kërcënimi është metoda bazë e përcaktimit në lista të deputetëve. Kështu, në rast se Rama dëshironte që të lante duart me Gjiknurin, Gjiknuri i çoi një zarf jo me para, por me fotot e McGonigalit. Dhe Gjiknuri u rikthye në lista.

Dhashë këtë shembull se si po caktohet lista në krahun tjetër. Mund t’u sjell edhe shembuj të tjerë plot se si famëzi Ceno Klosi përjashtoi socialistin asnjëherë të mençur, Petro Koçi”, tha ndër të tjera Berisha.

Ai tha se lista e PD për këto zgjedhje do të jetë vendimmarrja më e rëndësishme të këtij 4-vjeçari.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, meritë e madhe e anëtarësisë së PD, drejtuesve të saj në degët e PD-së dhe në qendër, deputetëve të saj dhe ajo çka mund t’u them unë se ky proces qëndron në lartësinë e plotë të objektivit kryesor të PD-së, Shqipëria Madhështore. Ky është procesi më transparent që është zhvilluar ndonjëherë në historinë e PD, me pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme, me përfaqësimin e të gjitha ndjesive, të gjitha shtresave, nënshtresave, grupeve, komuniteteve të shoqërisë shqiptare. Por këta kandidatë për deputetë kanë avantazhin sepse janë njëkohësisht përfaqësuesit e koalicionit më të fuqishëm që ka njohur Shqipëria në 32 vite. Ky koalicion që bashkon rreth 25 parti, të cilat pa PD-në, përfaqësojnë pothuaj një të tretën e elektoratit shqiptar.

Kjo përbën një avantazh të fuqishëm për aleancën për Shqipërinë Madhështore dhe PD-në, një avantazh i cili ka goditur thellë në dëshpërim palën kundërshtare, që në fakt është në kaos të vërtetë”, tha Berisha.

Pas fjalës së Berishës, mbledhja e Kryesisë së PD u zhvillua me dyer të mbyllura ku do të miratohet lista me kandidatët për deputetë të koalicionit “Shqipëria Madhështore” që udhëhiqet nga Partia Demokratike dhe përbëhet nga 25 parti.