Politika Gjiknuri: Nuk është normale që të bllokohet vetting-u për Kolegjin Zgjedhor

Gjiknuri: Nuk është normale që të bllokohet vetting-u për Kolegjin Zgjedhor

Damian Gjiknuri, bashkëdrejtuesi i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, pas mbledhjes së sotme të Këshillit Politik, deklaroi se nuk është normale që të bllokohet vetting-u për Kolegjin Zgjedhor.

“Po bëjmë progres në disa çështje, por nuk më duket normale që të bllokohet vetting-u për Kolegjin Zgjedhor. Ata që kanë kaluar vetting-un, të jenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor”, tha Gjiknuri kur u pyet për propozimet e Partisë Demokratike, që ka hedhur sot në tryezën politike të Reformës Zgjedhore propozime të reja sa i përket ankimimit të procesit.

Synimi është që Kolegji Zgjedhor të mund të gjykojë jashtë presionit të vettingut. Për këtë, propozohet një trupë prej 15 anëtarësh nga gjykatat e shkallës së parë dhe apelit në të gjithë vendin, me të paktën 7 vite përvojë si gjyqtarë e që nuk kanë masa disiplinore në fuqi. Ata do të përzgjidhen me short nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, jo më vonë se 5 ditë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve. Pas shortimit, 15 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor duhet të betohen në prani të KLGJ-së dhe nën drejtimin e Presidentit të Republikës.

Për të shmangur presionin e vettingut ndaj anëtarëve të përzgjedhur me short, ky proces për ta shtyhet në fund të listës së gjyqtarëve për t’u verifikuar. Nëse procesi i vettingut ka nisur, ai ndërpritet dhe rifillon vetëm kur të jenë kontrolluar të gjithë gjyqtarët e tjerë të Republikës që nuk janë pjesë e Kolegjit Zgjedhor.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi e konsideroi jetike për procesin zgjedhor ngritjen e një gjykate tjetër përveç Kolegjit Zgjedhor, me argumentimin se nuk kanë besim tek ky institucion.

“Opozita ka propozuar 6 paketa gjithsej. Propozimi sot është element themelor. E drejta për t’ju drejtuar një gjykate të pavarur dhe të paanshme. Duke qenë se është një rekomandim prioritar, kjo paketë sot nuk është një paketë e cila është vetëm për të vënë një kryq te lista e çështjeve, po është thelbësore. Pati një reagim shumë të fortë nga mazhoranca, e cila do të vazhdojë të kontrollojë mekanizmat me të cilat kapin gjyqësorin. Ne këtë nuk do t’ja lejojmë. Numri i gjyqtarëve që kanë kaluar Vettingun është shumë i vogël. Ju keni rastin e gjyqtarit Dvorani i cili nuk justifikon 100 milionë Lekë dhe askush nuk u kujtua ta ankimonte dhe bëri të mundur të kemi këto zhvillime që kemi sot. Ajo që propozojmë ne është të gjithë ata që nuk i janë nënshtuar Vettingut dhe ata që e kanë kaluar Vettingun, të mbrohen nga presioni politik dhe në fund të procesit t’i nënshtrohen të gjitha kontrolleve. Askush nuk do të jetë imun nga ndjekja penale për korrupsion apo për çdo lloj krimi tjetër”, deklaroi Oerd Bylylkbashi.