Kulturë “Gjithçka ishte shqiptare në shtëpi”, Dua Lipa rrëfen jetën mes Kosovës dhe...

“Gjithçka ishte shqiptare në shtëpi”, Dua Lipa rrëfen jetën mes Kosovës dhe Londrës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa, ka folur për historinë e jetës së saj mes Kosovës dhe Londrës. Dua tregoi se pavarësisht se u zhvendosën në Londër, prindërit e saj i flisnin shqip dhe e rritën atë me shumë dashuri për kulturën e vendlindjes.

“Gjithçka ishte shqiptare në shtëpi. Unë kisha aq shumë familjarë në Kosovë, por për shkak të situatës nuk isha në gjendje të kthehesha atje. Nuk i kisha takuar kurrë familjarët e mi.”, u shpreh ajo për Vanity Fair.

Ajo tha se prindërit nuk i folën shumë për luftën në Kosovë pasi ishte e vogël dhe nuk donin ta mërzisnin, por duke u rritur ajo e kuptoi më mirë situatën, kur u zhvendos përsëri në Kosovë në moshën 11-vjeçare.

Ylli ndërkombëtar tregon se jeta në Prishtinë nuk ishte fort e lehtë. Dua kishte probleme me gjuhën, nuk performonte mirë në shkollë, por nga ana tjetër, nisi të mësonte më shumë për Kosovën dhe luftën. Po ashtu ajo u njoh me përvojat e dhimbshme jetësore të shumë miqve që kishin humbur familjarët apo ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë luftës.

Dua thotë se kjo e nxiti të përdorte fuqinë e imazhit si yll popi, për të thënë fjalën e saj mbi këtë çështje.

“Kjo vjen kryesisht për shkak të rrënjëve të mia në Kosovë dhe pasi kam dashur të mbaj një qëndrim mbi këtë. Gjërat kanë buruar nga një përvojë personale. Teksa profili im po rritet, veçanërisht në internet, ndjej sikur kam nevojë ta përdor atë për të bërë diçka më të mirë sesa thjesht, e dini, të postoj fotografi të lezetshme ose çfarëdo gjëje tjetër.”

Dua ishte 12 vjeç kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008.

“Më kujtohet që pashë gëzimin e prindërve, familjes time dhe të të gjithëve.”

Por përsëri, ajo ndjente një tërheqje të brendshme për t’u kthyer Londër. Disa vjet më vonë, i bindi prindërit që të zhvendosej vetëm në Londër dhe të jetonte më një mik të familjes që po studionte atje.

“Ndihem sikur jeta ime do të jetë gjithmonë midis dy vendeve.”