Aktualitet Gjobë 50 mijë euro biznesmenit, kush është autori kryesor. I forti i...

Gjobë 50 mijë euro biznesmenit, kush është autori kryesor. I forti i Fushë-Krujës, pjesë e grupeve kriminale të rrezikshme

Autori kryesor i gjobëvënies ndaj biznesmenit nga Durrësi është Lulzim Zalla nga Fushë-Kruja.

45-vjeçari, i konsideruar nga Policia si një person tejet i rrezikshëm, është thuajse “fantazmë”, pasi nuk është përballur kurrë me drejtësinë për krimet e kryera. Ai prej vitesh rezulton pjesë e grupeve kriminale, që veprojnë në Krujë-Durrës-Tiranë dhe ka marrë pjesë në krime të ndryshme, që nga vendosja e lëndëve plasëse deri te rrëmbimet e gjobëvëniet.
Burime nga Policia e Shtetit thanë për “Panorama” se Zalla akuzohet edhe për vepra të tjera penale, si dhe dyshohet se ka marrë pjesë në disa ngjarje të bujshme kriminale të ndodhura në Fushë-Krujë, Krujë, Durrës dhe Tiranë.

Edhe pse është identifikuar si pjesë e grupeve kriminale dhe rezulton të këtë marrë pjesë në disa ngjarje të rënda, Policia asnjëherë nuk mundi ta vinte në pranga Lulzim Zallën, që dyshohet si autor i vendosjes së lëndëve plasëse në hekurudhën që shërben për fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. 45-vjeçari, përveçse ka arritur t’i “fshihet” drejtësisë, ka mundur t’u qëndrojë larg edhe rrjeteve sociale duke mos u identifikuar.
Mirëpo, djali i tij ka publikuar në “Instagram” foto me makina të shtrenjta, që dyshohet se kanë ardhur si rezultat i aktivitetit kriminal i të atit. Ndërkohë, Egi Shullazi, përveç mbiemrit që thotë shumë për botën e krimit, nuk rezulton person me precedentë penalë. 26-vjeçari rezulton se është përfshirë në këtë histori nga njohja që ka me Lulzim Zallën.

Kurse Klodjan Estrefi nga Durrësi, që vetëquhet “Talenti”, ka kryer rolin e “këshilltarit” për 45-vjeçarin nga Fushë-Kruja. Estrefi i ka dhënë Zallës informacion të dobishëm mbi aktivitetin e biznesmenit, të cilin e detyruan t’u paguante mijëra euro me anë të kanosjes dhe dhunës./Panorama