Ekonomi Gjobë bizneseve që nuk aplikojnë për pagën e luftës për punonjësit

Gjobë bizneseve që nuk aplikojnë për pagën e luftës për punonjësit

Këshilli i Ministrave ka bërë një shtesë në Aktin Normativ për ndihmën financiare për punonjësit e prekur nga masat kufizuese të COVID-19. Në një prej pikave parashikohet gjobitje për bizneset që nuk aplikojmë për marrjen e pagës së luftës për punonjësit. Në të tilla raste parashikohet një gjobë prej 50 mijë lekë.

“Moskryerja e aplikimit nga ana e subjektit të të punësuarit apo ish-të punësuarit që plotëson kushtet për të përfituar ndihmën financiare, gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Subjektet, të cilat i kanë trajtuar me pagë të plotë të punësuarit apo ish-të punësuarit nuk gjobiten për mosaplikim për përfitimin e ndihmës financiare. Subjektet e gjobitura mund të ushtrojnë të drejtën e ankimit pranë administratës tatimore, duke paraqitur në rrugë elektronike, nëpërmjet portalit e-filing, shkaqet dhe/ose arsyet e mosaplikimit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e komunikimit të gjobës, sipas Kodit të Procedurave Administrative”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Ndërsa një tjetër pikë lidhet me funksionimin e studiove televizive, ku parashikohet se në rast të mos respektimit të distancës prej 2 metra, do të aplikohet gjobë bre 1 milion lekë.

“Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se një person në të njëjtën studio televizive, që nuk respektojnë distancën e sigurisë prej 2 metrash nga njëri-tjetri, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe, në rast përsëritjeje, iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent”, thuhet në ndryshimet e botuara në Fletoren Zyrtare.