Politika Gjonaj i përgjigjet Metës: Reforma në Drejtësi nuk rrezikohet më nga politika....

Gjonaj i përgjigjet Metës: Reforma në Drejtësi nuk rrezikohet më nga politika. Qeveria asnjë ndikim

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj shprehet se politika nuk mund të pengojë më Reformën në Drejtësi.

E ftuar në emisionin Tempora, Gjonaj tha se tashmë Reforma është futur në rrugën e saj për të ringritur një sistem të ri, që nga fillimi.

“Reforma në drejtësi po bëhet, nuk ndalet, tashmë asnjë rrezik të pengohet nga politika! Reforma e drejtësisë nuk është e kapur nga mazhoranca, sot kemi KLP dhe KLGj!

Qeveria dhe mazhoranca kanë kryer të gjitha detyrimet ligjore dhe institucionale! Veprimet e opozitës krijuan probleme në zbatimin e shpejtë në kohë të reformës. Gjykata Kushtetuese do ngrihet shumë shpejt sipas gjithë procedurave të përcaktuara!”, u shpreh ministrja Gjonaj.

Deklaratat e ministres së Drejtësisë vijnë pas akuzave të presidentit Meta se reforma në drejtësi është kapur nga mazhoranca.

Opozita mbase dhe presidenti që shqetësohet për GjK duhet të kuptojnë se nuk është qeveria dhe as mazhoranca që nuk do Gjykatë Kushtetuese.

Nëse do ishte kështu nuk do te ishte plotësuar nga qeveria të gjitha hapat mbështetëse, infrastrukturën, pagat të një niveli të lartë dhe gjithë paketën ligjore etj. Ky është fakti i fortë që ne e mbështesim fort ngritjen sa më shpejt të Gjykatës Kushtetuese!,” theksoi Gjonaj.