Kryesore Gjonaj: Kryemadhi po më shantazhon, burri im nuk ka lidhje me bandat...

Gjonaj: Kryemadhi po më shantazhon, burri im nuk ka lidhje me bandat e basteve

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka reaguar pas akuzave që i ka bërë në Kuvend Monika Kryemadhi se bashkëshorti i saj ka lidhje me shtetasin Vis Martinaj, i njohur për një rrjet bastesh dhe lojra fati, i arrestuar së fundmi për ngjarjen e bujshme vrasje në Bllok.

Gjonaj i ka quajtur si shantazh deklaratat e kryetares së LSI-së.

“Nuk isha prezent sot në Kuvend, se isha në një takim me ambasadorët, ku raportova për zbatimin e  reformës në drejtësi, kur dëgjova akuzat nga Kryemadhi, që ishin në formën e një shantazhi. Ndihem e keqardhur që aty flitet për bashkëshortin tim. Janë në të drejtën e tyre të zgjedhin dhe mënyrën që duan për të bërë opozitën. Këtu duhet të ekzistojë debati për qytetarët, por opozita bën shantazhe dhe sulme personale. Bashkëshorti im nuk ka qenë i lidhur as me banda dhe as subjekte të lojërave të fatit. Shantazhi nuk është i tolerueshëm” – thotë Gjonaj.

Por nga ana tjetër Kryemadhi akuzoi Gjonajn se u ka bërë shantazh disa prokurorëve dhe gjykatësve. Sipas kreut të LSI, ministrja ka shantazhuar prokurorët me telefon lidhur me arrestimet e fundit në ministrinë që drejton.

Gjonaj përgjigjet: “Ka qenë shumë e përfolur ngjarja e fundit për një hetim në Ministrinë e Drejtësisë. Pas gjetjes së raportit e auditit të brendshëm, gjetjet i kanë kaluar Ministrisë së Financave, ku është bërë një hetim më i thelluar dhe në fund ka vijuar sipas ligjit. Është Prokuroria ajo që ka marrë në dorë këtë çështje dhe ka vënë para drejtësisë  të akuzuarit. Unë nuk kam kapur asnjë prokuror që të kem diktuar procesin, se nuk është në natyrën time që ta bëj këtë”

Kryemadhi tha gjithashtu se nuk e kishte sulmuar deri tani ministren sepse ajo është e afërme e Ilir Metës.

“Unë jam e gatshme për të debatuar për çdo gjë. Por unë nuk jam këtu për t’u marrë me familjarët apo për të treguar lidhje farefisnore” – është përgjigjur Gjonaj për këtë pjesë.