Aktualitet Gjonaj paralajmëron furtunë në Hipotekën e Durrësit: Do ta rindërtojmë nga e...

Gjonaj paralajmëron furtunë në Hipotekën e Durrësit: Do ta rindërtojmë nga e para

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, bëri të ditur se, nisur nga denoncimi i bërë dje në mbrëmje në emisionin “Fiks Fare” për drejtuesin dhe dy punonjës të ZVRPP Durrës, është kryer verifikimi i rastit si dhe i të gjithë veprimeve të gjithë punonjësve të përfshirë në këtë çështje.

“Për shkelje të rënda në detyrë, përfshirë edhe shkeljen e etikës dhe komunikimit me publikun, është shkarkuar sot nga detyra: Regjistruesi i Zyrës Vendore Durrës; Dhe dy specialistë të Sektorëve të Regjistrimit dhe Hartografisë, zonat 1 dhe 2. Më duhet të theksoj se ZVRPP Durrës, ka qenë në fokusin e disa kontrolleve të ndryshme administrative”, theksoi Gjonaj.

Ministrja bëri të ditur se denoncimi i bërë nga emisioni “Fiks Fare përkon edhe me një inspektim të kryer në ZVRPP Durrës, nga Zyra qendrore, lidhur me kontrollin e disa dosjeve të qytetarëve që trajtoheshin nga kjo zyre.

“Si rezultat i këtij kontrolli, të përfunduar në datën 16 janar 2019 janë shkarkuar nga detyra: 12 punonjës, ndër të cilët janë 2 përgjegjës sektori dhe 10 specialistë të zyrës së hipotekës së Durrësit. Dhe dy me masa paralajmërimi për shkarkim. Ndërkohë një ekip nga Tirana do të kryejë një hetim të thelluar lidhur me rastin dhe me funksionimin e të gjithë zyrës së Durrësit”, theksoi Gjonaj.

Ministrja paralajmëroi se do të largohen të gjithë punonjësit që janë në shkelje dhe që kanë abuzuar me detyrën, si dhe po merren masat për zëvendësimin e atyre që shkarkohen me qëllim që t’ju garantojmë qytetarëve ofrimin e shërbimit në kohë të shpejtë dhe sipas procedurave ligjore.

“Nëse do të jetë e nevojshme do të rindërtojmë nga e para me staf profesional të gjithë Zyrën vendore të Hipotekës së Durrësit”, u shpreh Gjonaj duke theksuar se vetëm për vitin 2018 në të gjitha zyrat e Hipotekës në vend janë marrë 273 masa disiplinore për drejtues dhe punonjës të zyrës qendrore apo zyrave vendore, të ardhura si rezultat i bashkëqeverisjes, inspektimeve të Task forcës antikorrupsion dhe inspektimeve të brendshme.

Gjonaj njoftoi gjithashtu se në fillim të muajit janar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje ka referuar në prokurori materialet për dy drejtues të IEVP Rrogozhinë, për shpërdorim detyre, përkatësisht për drejtorin e burgut dhe Shefin e Policisë së këtij burgu.