Rastësisht dëgjova për fjalorin fare të padenjë që gazetari Berat Buzhala paska përdorur në një shënim të tij ndaj akademikut Rexhep Qosja.
E besova vetëm kur mu desh ta shikoja e ta lexoja me sytë e mi, madje këta të fundit duke i fërkuar disa herë!
Jo një herë, por disa herë personaliteti dhe vepra e këtij kollozi të mendjes shqiptare, krahasohej me më të ndyrën fjalë, që e ka fjalori më vulgar e rrugaçëror. Pse kjo gjuhë ofenduese kaq banale, vetëm se profesori është prononcuar në favor të një partie, në këto ditë fushate zgjedhore në Kosovë?!
E pafalshme dhe fare i pakuptimtë, ky agresivitet i z. Buzhala, ndaj një personaliteti të tillë shqiptar, i cili në një fushatë elektorale shprehet publikisht e merr anën që vet mendon, se është më mirë. Mbase mendimi i tij nuk ka qasje as me autorin e këtyre radhëve, por kjo s’ka pse të më ndryshojë mendim, për këtë burrë të madh të mendimit shqiptar, të fjalës së shkruar e artikuluar aq bukur përmes shqipes tonë të shenjtë, të një prej rilindasve të kohëve moderne, që ka nxjerrë shqiptaria.
Nuk e di ç’ju ka shtyrë, për ta shpurë urrejtjen tënde deri në këtë pikë, por shumë larg ke shkuar, z. Buzhala?!
Mos harro se Prof. Qosja nuk i përket vetëm asaj ane të Drinit, por e kemi edhe ne këtej Drinit! Berat! Mos harro gjithashtu, se Shoqata “Labëria”, “Nderi i Kombit” e Labërisë, që nuk e di pse ende nuk ka reaguar, pasi ka gati çerek shekulli, që e ka “Kryetar Nderi” të saj, e kësisoj rëndë e ke fyer edhe atë vetë.
Nuk e di, sa e njeh historinë e kësaj krahine, por për të krijuar një ide më të plotë është Drenica e Kosovës.
Berat! Unë personalisht, Labëria gjithashtu dhe qindra e mijëra shqiptarë të tjerë, krenohemi me veprën e Prof. Rexhep Qosjes, madje urojmë që ta kemi sa më gjatë në jetë.
Gjeni fuqinë dhe t’i marrësh mbrapsht të gjitha ato, ç’ka goja e pena t’i ka nxjerrë! Boll urrejtje kemi prodhuar mesveti!
Sejmen Gjokoli
Ish-Nënkryetar i Përgjithshëm i Shoqatës “Labëria”