Politika Gjykata e Janinës vërteton akuzat e PD-së ndaj Agim Kajmakut

Gjykata e Janinës vërteton akuzat e PD-së ndaj Agim Kajmakut

Gjykata e Janinës e shpalli të pafajshëm Agim Kajmakun, alias Jorgo Toto. Gjykatësja Kristina Andoniun pranoi se i akuzuari nuk mund të fabrikonte paratë për të cilat Kajmaku u akuzua më 13 janar të vitit 2003.

Nga ana tjetër, për Partinë Demokratike, Gjykata e Janinës konfirmoi të gjithë denoncimet e bëra ndaj tij, duke sqaruar se Agim Kajmaku ishte në kërkim nga drejtësia greke, pasi është arrestuar në Janar 2003 me emrin Jorgo Toto dhe ai e kishte fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit.

PD deklaron se seancat gjyqësore për Jorgo Toton e Bashkisë së Vorës, të zhvilluara në Janinë për 4 ditë, u japin fund zvarritjeve të prokurorisë për zbulimin e identitetit të kandidatit të Edi Ramës. Megjithëse i dha kohë të sigurojë që nuk futet në burg në Greqi, duke mbyllur çëshjtjen atje, Agim Kajmaku ka punë me ligjin shqiptar.

“Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ka qenë me proces penal të hapur në Greqi dhe me urdhër arresti në fuqi, ashtu sikurse Partia Demokratike denoncoi.Vendimi konfirmon se Agim Kajmakut, alias Jorgo Toto, nuk i lejohej nga ligji i dekriminalizimit të kandidonte për kryetar bashkie. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku, alias Jorgo Toto ka gënjyer në Formularin e Dekriminalzimit, duke kryer veprën penale të fallsifikimit të dokumenteve“, citohet nga deklarata e PD-së.

Sipas selisë blu, Agim Kajmaku ka fshehur arrestimin në Greqi me emrin Jorgo Toto dhe për këtë duhet të shkarkohet nga detyra dhe t’i vihen menjeherë prangat për shkeljen flagrante të ligjit të dekriminalizimit dhe mashtrimin e qytetarëve shqiptarë.