Kryesore Gjykata e Lartë pezullon ndërtimin e HEC-eve në Valbonë

Gjykata e Lartë pezullon ndërtimin e HEC-eve në Valbonë

Gjykata e Lartë vendosi të mërkurën pranimin e kërkesës së përbashkët të 27 banorëve të Valbonës, Shoqatës “TOKA” dhe Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare për pezullimin e kontratës së ndërtimit të dy HEC-eve në Valbonë nga kompania “Gener 2” dhe “Dragobia Energy SHPK”, si masë e sigurimit të padisë deri në marrjen e një vendimi të prerë në lidhje me çështjen.

Vendimi

Me vendimin e sotëm Gjykata e Lartë vendosi ndryshimin e vendimit nr.17, datë 11.03.2021 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe vendimit nr.3342,datë 02.06.2017, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë në këtë mënyrë: “Pranimin e kërkesës së palës paditëse për marrjen e masës së sigurimit të padisë për pezullimin e kontratës së koncesionit dhe shtesave të saj dhe lejeve të përmendura në pikat 3-6 të objektit të kërkesëpadisë, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë”.

Beteja 5-vjeçare

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë vjen pas një beteje më shumë se 5 vjeçare të banorëve të Valbonës dhe shoqatës së tyre “Toka” të përfaqësuar nga Chatherin Bohne, një amerikane e martuar në Valbonë. Banorë dhe aktivistë mjedisorë kanë protestuar aktivisht vitet e fundit kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë, duke argumentuar se ato dëmtojnë vlerat unike të ekosistemit të luginës dhe potencialin turistik të zonës, një nga më të frekuentuarat vitet e fundit në Shqipëri për turizmin malor.

Lejet për ndërtimin e hidrocentraleve në këtë pjesë të Alpeve të Shqipërisë u dhanë nga qeveria Berisha, por ato nuk u anuluan nga qeveria Rama. Në këtë zonë janë dhënë 14 koncesione për ndërtimin e HEC-ve, ku 8 prej tyre janë parashikuar brenda Parkut Kombëtar.

Puna për ndërtimin e dy prej hidrocentraleve në Valbonë ka nisur në vitin 2016 dhe që nga ajo kohë, punimet kanë avancuar.

Hap pozitiv për vendosjen e drejtësisë

Megjithëse vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë vjen në një kohë kur kanë avancuar punimet për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, ai vlerësohet nga banorët dhe shoqata e tyre “Toka” si një hap pozitiv për vendosjen e drejtësisë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Lugina e Valbonës është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë 2, Park Kombëtar. Prej 5 vitesh aty po zbatohet projekti “Dragobia”, i cili parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve, por edhe të rrugëve dytësore, linjave elektrike, tuneleve dhe është duke u zhvilluar në mes të parkut kombëtar të Valbonës, park ky me një sipërfaqe totale prej 600 hektarësh dhe me një popullsi rreth 1000 banorë.