Kryesore Gjykata lë në burg Alqi Bllakon, avokati: Nuk ka firmosur asnjë dokument

Gjykata lë në burg Alqi Bllakon, avokati: Nuk ka firmosur asnjë dokument

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-deputetin socialist Alqi Bllako i akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion lidhur me inceneratorin e Fierit.

Avokati i Bllakos, Sokol Hazizaj tha se vendimi i gjykatës ishte në mungesë të dijenisë dhe informacionit të kodit të procedurës administrative.

Sipas Hazizajt, klienti i tij në kohën që mbante postin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit (e drejtuar nga Lefter Koka), nuk ka firmosur asnjë dokument shpronësimi (lidhur me inceneratorin e Fierit), pasi pozicioni i tij nuk ia lejonte.

“Është një vendim që tregon se kjo gjykatë s’e ka të qartë se si qarkullojnë shkresat në Këshillin e Ministrave dhe në ministri të ndryshme. Aktet e shpronësimit, paga e të atit nuk janë akte të prodhuara nga Bllako. Ai vetëm ka përcjellë dokumentacionin. Nga Gjykata nuk njihet kodi i procedurës administrative”, tha avokati.

Deputeti socialist Alqi Bllako dhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dyshohet se kanë falsifikuar dokumentin për llojin e tokës ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit. Ata ia kanë paraqitur qeverisë sikur ndërtesa e inceneratorit do të bëhej në tokë truall.

SPAK ka provuar se ajo është ndërtuar në tokë arë, vlera e së cilës është më e lirë. Ky falsifikim i ka sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 140 mijë eurosh.