Bota Gjykatësi bullgar si zyrtarët shqiptarë, i ndalohet hyrja në SHBA

Gjykatësi bullgar si zyrtarët shqiptarë, i ndalohet hyrja në SHBA

Departamenti i Shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara gjykatësit bullgar Andon Milatov, për shkak të përfshirjen në korrupsion.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha në vendimin e tij se “në cilësinë e tij zyrtare, Mitalov ishte i përfshirë në akte korrupsioni, që dëmtuan sundimin e ligjit dhe komprometuan rëndë pavarësinë e institucioneve demokratike në Bullgari”.

Sipas ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Ligji po ashtu i jep të drejtë Sekretarit të Shtetit që vendimin ta bëjë publik, ose t’ia transmetojë privatisht zyrtarit në fjalë dhe familjes së ngushtë. Përveç, gjykatësit, vendimi përfshinë edhe bashkëshorten e tij Kornelia Stoykova-Mitalova dhe të bijën, Gergana Mitalova.

Ky është rasti i parë që lidhet me Bullgarinë dhe riafirmon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin në Bullgari dhe në botë, thuhet në njoftim. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Bullgarisë në luftën e tyre kundër korrupsionit. Departamenti i Shtetit, thuhet në vendim, do të shfrytëzojë mundësitë e tij për të nxitur përgjegjshmërinë për të korruptuarit në rajon dhe në botë.

Departamenti i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe tre zyrtarëve shqiptarë: ish-Kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe Tom Doshit.